Bode: “Pushteti vendor ka mangësi në vjeljen e taksave”
Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor për periudhën janar-qershor të këtij viti janë rreth 5.5 miliardë lekë, nga 7.8 miliardë lekë të planifikuara, ose rreth 2.3 miliardë lekë më pak me një realizim të planit 70.9 miliardë lekë. Nisur nga kjo, ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi dje rritje të kapacitetit për mbledhjen e taksave nga pushteti vendor. Kreu i financave publike tha se të ardhurat nga pushteti vendor paraqiten me një mosrealizim në masën 29.1 për qind të programit të parashikuar, duke dëshmuar një performancë të ulët në mbledhjen e tatimeve dhe të taksave që iu janë deleguar pushtetit vendor. Duke mos u ndalur në emra konkret bashkish ose komunash që nuk kanë realizuar planin, ministri Bode u shpreh se, "të ardhurat vijnë nga bashkitë e mëdha dhe nëse ne duam të përmirësojmë treguesit e pushtetit lokal, duhet bërë kujdes që bashkitë e mëdha të kenë kapacitet të mjaftueshëm për të administruar taksat në mënyrë korrekte". Sipas tij, "tashmë jemi në fazën kur po i delegojmë 10 miliardë lekë pushtetit vendor llogaritur me nivelin aktual të administrimit, me ligjin që është në parlament, të cilat nëse do të kishte një administrim më të mirë dhe po të luftohet informaliteti në biznesin e vogël dhe në aktivitetet e tjera të mbuluara vendorët, sigurisht rezultatet do të jenë më të larta". Ky mosrealizim përbëhet kryesisht nga të ardhurat nga zëri "taksa lokale", 1.7 miliardë lekë, “tatimi mbi pasurinë” me rreth 488 milionë lekë dhe “tatimi mbi biznesin e vogël” në rreth 97 milionë lekë. Totali i të ardhurave nga pushteti lokal ka pasur një rritje mesatare nga viti në vit me rreth 11.4 për qind.
Janar-qershor, Financat krenohen me performancën e mirë të të ardhurave
Financat e shtetit shqiptar paraqiten me një performancë të mirë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp mbi realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për pjesën e parë të këtij viti, se të ardhurat totale në buxhetin e shtetit, arritën në rreth 135 miliardë lekë, nga 130.9 lekë të parashikuara, duke u realizuar në masën 103.17 për qind. "Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat janë rritur me 19.5 miliardë lekë, ose 16.9 për qind”, - tha ministri Bode. Kreu i financave publike, u shpreh se shpenzimet e përgjithshme të shtetit në fund të muajit qershor kanë arritur në rreth 137.3 miliardë lekë, nga rreth 148.9 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar rreth 92.3 për qind. "Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2007 këto shpenzime rezultojnë rreth 31.9 miliardë lekë më të larta, ose 30.3 për qind",- tha Bode.
Ministri i Financave: “Gati buxheti suplementar 2008”
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se tashmë është gati dhe brenda javës do të shkojë në Kuvend, buxheti suplementar për pjesën e dytë të këtij viti. Ministri Bode duke mos bërë publike krejt shumën totale të këtij buxheti, pasi shumë shpejt, sipas tij, do të bëhet e qartë gjithçka në Kuvend tha se, "20 miliardë lekë janë nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ndërsa ka edhe pjesë nga rialokimet dhe kontingjencat që e rrisin masën e këtij buxheti suplementar”.
11 Korrik 2008