E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshenti nga Peqini autor i vrasjes së 60 - vjeçarit



Elbasan - Policia e Elbasanit ka identifikuar një adoleshent si autorin e vrasjes me armë zjarri të një 60 - vjeçari, që u gjet i plagosur me një plumb në kurriz, në 30 qershor, tek shinat e trenit të Peqinit, për të ndërruar jetë më pas në spital. Sipas policisë, 17 - vjeçari E. Sh., lindur e banues në Peqin, është shpallur në kërkim si autor i vrasjes së 60 vjeçarit, që mendohet të jetë endacak në këtë qytet.

Aksidentohet në rrugë një 19 vjeçar, shkon në spital në gjendje kritike

Elbasan - Si pasojë e një aksidenti të ndodhur në orët e vona të së mërkurës, shtetasi E. D duke drejtuar mjetin e tij tip “çiklomotor” pa targa në aksin rrugor Elbasan -Cërrik, është përplasur me një karrocë me kalë e për pasojë është dëmtuar rëndë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur transportimin e 19 - vjeçarit për në spitalin kirurgjik. Por, gjendja e tij shëndetësore në rrezik për jetën, ka bërë që 19 vjeçari të transportohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas grupit hetimor, aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara nga 19 vjeçari.

Vetëvaret adoleshenti, enigmë motivet

GRAMSH - Një 16-vjeçar është gjetur në orët e para të mëngjesit të së enjtes i vetëvarur në një pemë të oborrit të shtëpisë. Burime të policisë bënë të ditur të enjten për ATSH-në, se Alban Dyrmishi, 16 vjeç, me banim në komunën Sult të rrethit të Gramshit, prej disa ditësh kishte shkuar me pushime në fshatin Zgjup ku jetonin gjyshërit e tij, vend ku edhe është gjetur i vetëvarur. Ende nuk dihen shkaqet e vetëvarjes së adoleshentit, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›