Avokati jep garanci pasurore, por Gjykata e la në burg mjekun Dautaj
Luan Kondi
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka vendosur të lërë në burg mjekun urolog Kastriot Dautaj, pas akuzës për korrupsion të ngritur ndaj tij. Avokati ka kërkuar që të jepet një masë tjetër më e butë kundrejt garancisë pasurore, por gjykata nuk e ka pranuar. Në seancën e djeshme, gjykata dha masën “detyrim paraqitje” për Ibrahim Hakën, i cili akuzohej për “korrupsion pasiv”, pasi i kishte dhënë mjekut 50 mijë lekë ryshfet për operimin e së bijës.
Seanca
Gjatë seancës Haka pohoi se mjeku nuk i kishte kërkuar lekë. “Unë kisha dëgjuar nga të tjerë dhe ndaj ia dhashë lekët”, - pohoi i pandehuri Haka. Ndërsa vetë kirurgu, me një karrierë 40 vjeçare në mjekësi, pohoi para gjykatës se llogaritë bankare që iu gjetën i kishte nga paga e tij, paga e bashkëshortes dhe dy fëmijëve që ndodheshin në Amerikë. Ndërkaq është lëne i lire babai i pacientes, Ibrahim Hoxha. Grupi hetimor i cili kishte nisur hetimet për mjekun e njohur Dautaj që në muajin janar të këtij viti kishte dalë në përfundimin se Dautaj kishte pranuar ryshfete edhe në raste të tjera nga të afërmit e pacientëve. Megjithatë urologu i njohur është mbrojtur duke thënë se nuk ishte në dijeni të shumës që babai i pacientes i kishte futur në xhep dhe se ai ishte një mjek i nderuar. Ai është akuzuar edhe herë të tjera nga pacientët për korrupsion, por asnjëherë nuk ishin marrë masa ndaj tij. Gjatë gjashtë muajve hetime dhe përgjime, policia kishte zbuluar edhe abuzime të tjera të mjekut, por për ta “gozhduar” atë në momentin final, nuk ishte ndërhyrë më parë. Mjeku u arrestua në kuadër të operacionit “Veshka e Humbur”.
Arrestimi
Kastriot Dautaj u arrestua të hënën në kushtet e flagrancës, pas gjashtë muajve përgjime. Atij iu hodhën prangat në repartin e URL-së, menjëherë sapo doli nga operacioni, ndërkohe që ne xhep iu gjetën 50 mijë lekë. Por kjo nuk është e vetmja provë që prokuroria ka kundër tij. Në Prokurorinë e Tiranës janë depozituar katër kallëzime nga shtetas të ndryshëm, të cilët akuzojnë mjekun Dautaj për mitmarrje gjatë kryerjes së operacioneve. Një telefonatë në numrin 129 do të rezultonte fatale për mjekun e njohur. Menjëherë pas saj janë vënë në lëvizje uniformat policore, të cilat në bashkëpunim me njësinë Task Force ka arrestuar në flagrancë mjekun kirurg, me akuzën për marrje ryshfeti kundrejt operacioneve që kryente. Duke iu referuar deklaratës së policisë prangosja e mjekut u bë në kuadrin e operacionit “Veshka e humbur”. Kastriot Dautaj 66-vjeç, kirurg-urolog në spitalin nr. 2 pranë QSUT-së u arrestua pasi nga hetimet e bëra rezultoi se merrte para nga pacientët e tij për operacionet që kryente. Po ashtu menjëherë pas arrestimit, Dautajt iu sekuestrua shuma e 420 mijë dollarë të depozituar në një llogari bankare me emrin e tij, të cilat dyshohen të jenë përfituar nga veprimet korruptive. Hetimi i kësaj çështje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Mbi mjekun me titull doktor profesor rëndon akuza për veprat penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
11 Korrik 2008