E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshehu të ardhurat, ndalohet për të kryer dënimin italiani



DURRËS – Një shtetasi huaj është arrestuar dy ditë më parë nga policia pasi për të gjykata kishte dhënë vendimin për 30 ditë burg për fshehje të të ardhurave. Burime nga policia e Durrësit sqaruan se Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Durrës mbi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Durrës të datës 26 maj 2006, beri ndalimin e shtetasit italian Mino Palazzi, 54- vjeç, lindur e banues në Rimini Itali, me arsim të mesëm, me kombësi e shtetësi italiane, i padënuar më parë. Bazuar në vendimin e sipërcituar të Gjykatës së Rrethit Durrës, shtetasi në fjalë është dënuar me 30 ditë burgim për veprën penale të fshehjes së të ardhurave. Materialet iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Shqetësoi banorët pse vuri muzikë me volum të lartë në lokal, hetohet në gjendje të lirë

DURRËS – Një rast i rrallë kur prishësit e qetësisë publike ndiqen penalisht. Kjo ka ndodhur pikërisht me një pronar lokali në Durrës, i cili ishte denoncuar për prishje të qetësisë publike duke vënë muzikë me volum të lartë. Burime policore thanë për gazetën se dy ditë më parë filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Arian Probibaj, 26 - vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, i padënuar më parë. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se rreth mëngjesit të dy ditëve më parë, në ambientet e lokal “Shkëlzeni” tek Shkëmbi i Kavajës, pronë e tij, ka vendosur muzikë me volum të lartë dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për uljen e volumit të saj. Materialet për veprën penale të prishjes së qetësisë publike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Biznesmeni durrsak denoncon dy kërcënues nga Tirana

DURRËS – I kishin kërkuar para se në të kundërt do ta vrisnin, por biznesmeni ka denoncuar në polici. Burime të sigurta thanë për gazetën se dy ditë më parë filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Dashamir Malokut, 38-vjeç, lindur në Tapizë Krujë e banues në Laprakë Tiranë, i padënuar më parë dhe Sokol Malokut, 34-vjeç, lindur në Tapizë Krujë e banues në Laprakë Tiranë, me arsim të mesëm, i padënuar më parë. Procedimi penal ndaj tyre filloi bazuar në kallëzimin e bërë në Polici nga shtetasi B. D., banues në lagjen Nr. 11 Durrës, i cili pretendon se dy shtetasit në fjalë, në mënyrë sistematike e kanë kanosur me qëllim dhënien e një shume parash pasi një muaj më parë në afërsi të objektit 4 katësh “Vila Doci”, pronë e shtetasit B. D., te “Shkëmbi i Kavajës”, këtyre shtetasve iu është vjedhur një automjet. Lidhur me rastin në fjalë u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të vetëgjyqësisë iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›