Abuzimi me pensionet, fluks dosjesh në prokurori
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë këtij viti ka dërguar për shqyrtim gjyqësor me dhjetëra çështje penale që kanë të bëjnë me abuzimet me pensionet e pleqërisë. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur dje se hetimet mbi këto çështje kanë provuar përfitimin e pensionit të pleqërisë përmes dokumenteve të falsifikuara nga persona të ndryshëm. Personat që pretendohet se janë përgjegjës për këto abuzime janë në procese gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Nga të njëjtat burime mësohet se në këtë prokurori janë referuar një numër i madh dosjesh, që kanë për objekt hetimi falsifikimin e dokumenteve zyrtare me qëllim përfitimin e pensionit të parakohshëm dhe të pleqërisë. Gjithashtu, një numër i madh individësh janë marrë nën hetim nga prokuroria si të dyshuar në përfitimin e pensionit në mënyrë të paligjshme. Shumica e këtyre personave janë denoncuar nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.
14 Maj 2008