E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, përfituesit e paligjshëm do t’i rikthejnë paratë ISSH-së

Abuzimet me pensionet, ISSH-ja publikon 418 raste të reja. Tetë persona me emra të ndryshëm kanë përfituar pensione në dy arka paguese

Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka bërë publike dje 418 raste të reja të abuzimit me përfitimin e pensionit. Pas verifikimit të abuzimeve të gjithë përfituesit e paligjshëm duhet të paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës për të rikthyer shumat që kanë përfituar padrejtësisht. Ky përfitim i padrejtë i pensioneve ka shkaktuar një dëm ekonomik që kap vlerën në total 314 528 280 lekë dhe me dëm mesatar mujor 2 526 618 lekë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, Ilir Goci, sqaroi se të gjitha këto raste rezultojnë si pensione të lidhur me certifikata false. Në një konferencë për shtyp ai ka paraqitur edhe tetë raste të tjera flagrante, ku figurojnë të njëjtët persona, por me emra të ndryshëm, të cilët përfitojnë pensione në dy arka paguese të ndryshme.
Masat ndëshkuese
Pas verifikimeve Ilir Goci ka bërë të ditur edhe masat ndëshkuese që do të merren për personat që janë përfshirë në këto abuzime. Për këto masa ai sqaroi: “Si masë të parë ne kemi pezulluar dhënien e këtyre pensioneve si dhe kemi larguar nga puna punonjësit që rezultojnë të jenë përfshirë në lidhjen dhe dhënien e këtyre pensioneve”. Gjithashtu ai sqaroi se tashmë të gjitha këto të dhëna i kanë kaluar prokurorisë, e cila po vazhdon hetimet. Ndërsa përsa i përket largimit nga puna të punonjësve që janë përfshirë në këto abuzime, Ilir Goci bëri të ditur se, në kuadër të pastrimit të skemës janë pushuar nga puna 30 punonjës. 14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet, ndërsa 16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false si dhe për diploma false. Duke qenë i bindur se ky hap është jo vetëm një detyrim ligjor, Goci u ka bërë thirrje përfituesve të paligjshëm që të paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës për të rikthyer shumat e përfituara padrejtësisht. Vetëm para tri javësh ISSH-ja bëri publike 218 dosjet e përfitimeve të veçanta nga ish-punonjësit e nëntokës me vlerë 136.071.947 lekë si dhe të 109 rasteve të përfitimeve afatgjata me vlerë 47 829 696 lekë, të cilave u është bërë kallëzim penal.
Kontrolli
Në kuadër të luftës kundër informalitetit ISSH-ja kaq bërë të ditur se po vazhdon kontrolli mbi pensionet në përgjithësi. Pas përfundimit të procesit të kontrollit ISSH-ja ka vendosur të dërgojë për ndjekje penale të gjithë shkelësit, me qëllim që në skemë të mbeten vetëm ata që e meritojnë marrjen e pensionit. Në këtë proces DRSSH-ja ka kërkuar nga të gjithë personat të cilëve u është pezulluar dosja që të rikonfirmojnë dokumentet e paraqitura në dosje. Vetëm pas ballafaqimit me ta janë ndërmarrë veprimet e ndjekjes penale ose të rikthimit në skemë. Gjatë verifikimeve ISSH-ja ka konstatuar shkelje që kanë të bëjnë me: korrigjime të periudhave në regjistrat themeltarë (data, muaji, viti); dublime të periudhave të punës; mospërputhje të vërtetimit të ditëve të punës në kooperativat bujqësore të dorëzuara në dosje me regjistrat ekzistues të dorëzuar më pas në arshivën e DRSSH-së Tiranë, mosekzistencë e emrit të përfituesit në indekset e ndërmarrjeve apo minierave dhe së fundi pensione të lidhura me certifikata false.

Tetë persona me dy pensione

Përveç abuzimit me të dhënat për përfitimin e pensionit, tetë persona të tjerë kanë shkuar përtej këtij abuzimi dhe nuk janë mjaftuar me një pension në muaj. Verifikimi i ISSH-së ka zbardhur tetë persona abuzues, të cilët me dy emra të ndryshëm kanë përfituar pensione në dy arka paguese të ndryshme. Pra, ka rezultuar e njëjta fotografi në dy certifikata, por me gjeneralitete të ndryshme. Sipas verifikimeve, që specialistët e ISSH-së kanë bërë pranë zyrave të gjendjeve civile ku rezulton e lëshuar ajo certifikatë, figuron se njëri emër, pra njeri person, është i rremë dhe pagesa merret në mënyrë abuzive.

Abuzimet në shifra
418 raste të reja të abuzimit me përfitimin e pensionit janë zbuluar nga ISSH-ja
314 528 280 lekë në total është dëmi ekonomik që ky përfitim i padrejtë i pensioneve ka shkaktuar deri tani
2 526 618 lekë është dëmi mesatar mujor nga abuzimet me 8 pensionet deri tani
8 persona, me emra të ndryshëm në dy certifikata kanë përfituar pensione në dy arka paguese të ndryshme
30 punonjës që janë përfshirë në këto abuzime janë larguar nga puna deri tani
14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet
16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false si dhe për diploma false

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›