E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me të miturit jetimë, 20 vjet burg anglezit David Braun

 

TIRANE - Abuzimi seksual me dy fëmijë të fondacionit "Fëmijët e tij", do t'i kushtojë dy dekada burg 56-vjeçarit skocez, David Braun dhe pas kryerjes së këtij dënimi ai do të përzihet nga territori shqiptar si "non grata". Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha e gjeti Braunin fajtor për "kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë me të mitur", sipas nenit 100/2 të Kodit Penal dhe e dënoi me 20 vjet burg. Sipas gjykatës, Brauni e ka kryer këtë vepër penale disa herë me njërin prej të miturve të jetimores dhe vetëm njëherë me një tjetër. Ndërkohë, sipas gjykatës Brauni kishte dijeni për abuzimin që kryenin miqtë e tij anglezë me fëmijët, ndërsa kishte porositur të miturit të mos tregonin, pasi kjo përbënte shkak për mbylljen e jetimores nga policia. Gjykata argumentoi se Brauni kishte abuzuar me fëmijët duke i zhveshur, fjetur në të njëjtin shtrat me ta, duke i prekur me duar nëpër vende të turpshme dhe duke u treguar organin e tij seksual. Vepra këto, që sipas gjykatës nuk mund të tregojnë kulturën e vendit nga vjen i pandehuri, ashtu sikurse u përpoq Braun të mbrohej. Po kështu gjykata rrëzoi edhe pretendimet e tij për impotencë, duke pohuar se Braun ishte i aftë seksualisht dhe se abuzonte me fëmijët nëpërmjet shtrëngimit, frikësimit dhe superioritetit përballë tyre. Më tej gjykata pohoi se kishte dalë në konkluzionin se anglezi Braun, themeluesi i shoqatës bamirëse "Fëmijët e tij" e ka përdorur bamirësinë për të kamufluar krimet seksuale ndaj të miturve. Kjo vërtetohet nga fakti, se Braun kishte publikuar "online" në internet të dhënat e fëmijëve, çka përbënte shkak që të vizitonin qendrën persona të tjerë të huaj, qëllimi i të cilëve ishte abuzimi me të miturit. Për këtë shkak, sipas gjykatës, Braun paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për pasojë, pasi të vuajë dënimin me 20 vjet burg duhet të largohet nga Shqipëria. Po kështu, gjykata vendosi sekuestrimin e llogarive bankare të shoqatës "Fëmijët e tij". Anglezi Braun u arrestua në maj të vitit 2006 në kryeqytet pas shpërthimit të skandalit në jetimoren, që ndodhej nër "Dervish Hekali" në kryeqytet. Ndërsa pas hetimeve rezultoi se Braun dhe dy miqtë e tij Robin Arnold dhe Dino Christodoulou kishin abuzuar me 9 fëmijë të moshës nga 3 deri në 12 vjeç.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›