E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Presidenti Duka na bindi të hynim në fushë"

 

JETMIR HALILAJ

Isli Hidi, portieri i Kombëtares shqiptare, ka pohuar se kuqezinjtë nuk kanë dashur të dilnin në fushë në pjesën e dytë të lojës, por ka qenë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që i ka bindur të mos e braktisnin ndeshjen. Në një intervistë të dhënë për azerisport.com, 27-vjeçari që luan te Alki Larnaka ka thënë se do ta mbajë mend gjatë një gjykim të tillë.
U pa qartë se ju ishit shumë i nervozuar, kaq shumë ju çakorduan gabimet e gjyqtarit?
Shaka është kjo? Unë nuk e kuptoj se si mund të jesh i qetë kur bindesh se ke edhe gjyqtarin kundër. Ishte vetëm një ndeshje miqësore, e cila nuk duhet të shkonte në këtë mënyrë, por gjyqtari shkatërroi gjithçka. Unë jam i kënaqur nga loja që zhvilluan të dyja skuadrat, por kurrsesi nuk mund të jem i kënaqur nga gjyqtari. 
Do ta mbani mend gjatë këtë gjyqtar apo jo?
Po, besoj se po. Nuk kam hasur asnjëherë më parë një gjykim të këtij niveli. (mendohet)...o Zot, po ishte një budallallëk i trashë fare kur ndalonte ndeshjen për disa faulle që nuk ekzistonin dhe më pas akordonte goditje dënimi në favor të Azerbajxhanit, për faulla inekzistentë nga ana jonë.
Është e vërtetë se nuk donit të hynit në fushë?
Po, pas pjesës së parë nuk deshëm fare të hynim në lojë për të vazhduar pjesën e dytë. Në dhomat e zhveshjes erdhi presidenti i Federatës tonë dhe na bindi. Ndryshuam mendje vetëm në minutat e fundit. Sinqerisht deshëm të respektonim ata tifozë që kishin ardhur në stadium.

"Arbitri gaboi shumë"

Fantazisti i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, ka thënë se përfaqësuesja jonë i kishte të gjitha mundësitë për ta fituar ndeshjen miqësore. "Goli im ishte shumë i mirë. Arrita t'u lirohesha nga mbrojtësit dhe të gjeja një të çarë. Azerbajxhani ishte një kundërshtar shumë i fortë, por shumë vendime të arbitrit ishin të gabuara". Goli i shënuar kundër Azerbajxhanit (1-1) ishte edhe goli i 10-të për Ervin Skelën, që tani ndodhet në të njëjtën kuotë me  barazua me Igli Taren e Sokol Kushtën. Mbreti është ende Alban Bushi me 14 gola, i ndjekur nga një tjetër emër i famshëm Altin Rraklli (11 gola). Skela la pas Erjon Bogdanin (9 gola), ndërkohë që Edmond Kapllani (nuk u thirr për ndeshjen kundër Azerbajxhanit) ndodhet në kuotën e 6 golave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›