Rektori i Kamzës, në garë ish-këshilltari i Berishës
Tre profesorë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit garojnë për në krye të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Kamzë. Ndër kandidaturat është edhe ish-këshilltari i Berishës, në vitet 1994-1995, Fatos Harizaj. Ndërkohë, kandidon edhe Suljeman Sulçe dhe Besnik Gjongecaj edhe këta nga i njëjti fakultet, ai i Bujqësisë. Burimet saktësojnë se pranë komisionit qendror të zgjedhjeve ende nuk janë regjistruar profesorët që do kandidojnë, por ato janë shpallur tashmë, në stafet akademike dhe në rrethin e studentëve. Komisioni zgjedhor është konstatuar me vonesë, kështu që ata kanë kohë edhe gjatë kësaj jave për të paraqitur dosjet e tyre. As pranë fakulteteve ende nuk janë paraqitur emrat e kandidatëve për dekan. Gjatë këtyre ditëve, në Universitetin Bujqësor janë regjistruar vetëm disa profesorë, që hyjnë në garën e shefave të departamenteve dhe anëtarëve të senatit dhe këshillit të fakultetit. Ndërsa, ata që pretendojnë majën e piramidës, rektoratin dhe fakultetet janë ende të pashpallur zyrtarisht. Në bazë të rregullores së Ministrisë së Arsimit, fushata është e hapur deri më 9 janar, pasi më 10 zhvillohen zgjedhjet universitare. Për sa i përket regjistrimit të kandidaturave, ajo zhvillohet në kohë të ndryshme, në universitete të ndryshme. Gjithçka varet nga serioziteti i punonjësve aktualë të rektorateve dhe të komisioneve zgjedhore, që menaxhojnë zgjedhjet. Në bazë të afateve që ata vendosin kryhen edhe procedurat. Për sa i përket universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, theksojnë se regjistrimi i kandidaturave për rektor ka përfunduar, ndërsa është në proces regjistrimi i kandidatëve për dekanë dhe shefa departamentesh. Sipas rregullores së zgjedhjeve, marrin pjesë pedagogë, studentë dhe stafi administrativ. Kutitë e votimit vihen pranë çdo fakulteti më datë 10 janar dhe votuesve u paraqiten disa fletë votimi. Ata do të votojnë për rektor të universitetit, për dekan të fakultetit, shefa katedrash, senatorë dhe anëtarë të këshillit.
tabela
Kandidatët për rektor në UBT
Fatos Harizaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Sulejman Sulçe, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Besnik Gjongecaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit