Parlamenti "i jep fund" akademikëve miraton ndryshimin e ligjit
Parlamentarët e djathtë kanë votuar dje, në mbrëmje, ndryshimin e ligjit "për Akademinë e Shkencës" ku e drejta për të zgjedhur kryetarin e ri i takon Presidentit të Republikës dhe jo Asamblesë së Akademisë përmes parimit demokratik të votës së fshehtë. Gjithashtu, qeveria ka mundur të marrë nga parlamenti "OK" për uljen e moshës së pensionit të akademikëve deri në 70 vjeç duke lënë kështu jashtë radhëve të Asamblesë së këtij institucioni disa nga personalitetet më të shquara të Akademisë si Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Ylli Popën e shumë të tjerë. Asnjë nga tentativat e akademikëve duket se nuk ka mundur të ndalë atë që është quajtur revanshi qeveritar kundër këtij institucioni i përligjur nën emrin e reformës. Duket se tejet e vonuar ka qenë edhe përpjekja e fundit e disa prej akademikëve, të cilët dje paradite kanë trokitur në derën e Presidentit Bamir Topi për çështjen e ndryshimit të ligjit. "Institucioni i Presidentit në këtë fazë nuk mund të jetë pjesë në proces", u shpreh kreu i shtetit, Topi në këtë takim. Siç bëri të ditur zyra e shtypit "kreu i shtetit i ftoi akademikët që në këtë moment të jenë pjesëmarrës aktivë në diskutimet racionale me qeverinë dhe Parlamentin". Por duket se Presidenti ka harruar t‘i informojë akademikët për shpjetësinë me të cilin ky ndryshim i ligjit ka shkuar në Kuvend për miratim. Qeveria ka ndryshuar ligjin për akademinë sapo kjo e fundit ka zgjedhur kreun e ri të saj, Rexhep Meidanin. Një përfaqësi e përbërë nga akademikët e njohur Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Eduard Sulstarova, Jorgo Bulo dhe Dhimitër Haxhimihali në këtë takim të gjatë, u njohën edhe me qëndrimet e Presidentit Topi lidhur me projektligjin e Akademisë së Shkencave. Ata i shprehën shqetësimin e tyre Topit lidhur me amendimet e qeverisë në ligj. Ata shpjeguan më kot se është i papranueshëm përjashtimi i tyre nga institucioni i vetëm i shkencës, në një kohë që kanë kontribuar gjithë jetën për vlerat e saj, si gjuhësia, letërsia, historia dhe teknologjia. "Projektligji i ri për Akademinë e Shkencave është diskriminues", thanë akademikët vetëm pak orë përpara votimit nga të djathtët dje në mbrëmje në Kuvend. Ata kërkuan nga presidenti se "duhet dekretuar kryetari i ri i Akademisë së Shkencave". Lidhur me këtë problem, Presidenti Topi u tha akademikëve se në këtë fazë institucioni i Presidentit nuk mund të jetë pjesë në proces. Zyra e shtypit pranë Presidencës njoftoi gjithashtu se "kreu i shtetit i ftoi akademikët që në këtë moment të jenë pjesëmarrës aktivë në diskutimet racionale me qeverinë dhe Parlamentin". Por që në rastin konkret ata mundën vetëm të dialogonin me Presidentin dhenjëri-tjetrin pasi asnjë nga Parlamentarët
Për sa i përket çështjes së moshës, Presidenti i Republikës u shprehu pjesëmarrësve në takim ndjeshmërinë e tij lidhur me këtë problem dhe njëkohësisht vlerësoi maksimalisht figura të tilla akademikësh si: Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj.
Për çështjen e dekretimit të emërimit të kryetarit të Akademisë, Presidenti Topi, pasi theksoi se si në Kushtetutë, ashtu edhe në ligj nuk ka afate kohore për këtë emërim, u bëri të qartë të pranishmëve se Institucioni i Presidencës po ndjek procesin, duke bërë të gjitha konsultimet e nevojshme juridike dhe duke u angazhuar se në momentin e përshtatshëm do të japë edhe prononcimin e tij. Njëkohësisht, Presidenti Topi u bëri thirrje akademikëve për maturi, në mënyrë që të evitohen prononcime emocionale në media, të cilat mund të fusin procesin në rrugë të gabuar. Vendimi i qeverisë për të amenduar ligjin u ndërmor pak javë më parë, ndërsa nuk kishte kaluar shumë kohë nga zgjedhja e Rexhep Meidanit në krye të Akademisë së Shkencave. Projektligji, që përjashton të gjithë ata që janë mbi 70 vjeç nga Asambleja ka bërë që akademikët të hidhen kundër ligjeve të qeverisë. Në një deklaratë që u kanë nisur institucioneve më të larta shtetërore dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, 25 anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave kërkojnë mosmiratimin e këtij neni, që cenon rëndë autonominë shkencore. Me ndryshimin që i bëhet ligjit, kryetari i Akademisë emërohet nga Presidenti, gjë që për akademikët është antikushtetuese. Ndryshimet në ligj u miratuan nga qeveria më 14 nëntor, ende pa u bërë një vit nga miratimi i ligjit të ri të Akademisë, i cili kaloi institucionet kërkimore në varësi të universiteteve.