E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me trojet, pranga 2 ish-zyrtarëve të komunës

Abuzimet me trojet në Komunën Kashar të Tiranës kanë dërguar në prangat e policisë edhe dy funksionarë të tjerë, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me detyrën. Grupi hetimor nga Task-Forca kundër korrupsionit ka deklaruar se emrat e dy personave, Bashkim Kusi dhe Ruhi Valisi, kanë dalë gjatë marrjes në pyetje të personave të dëmtuar nga abuzimet që janë kryer me shitjen e pronave. Në këto kushte, bazuar edhe në provat e mbledhura nga prokuroria, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për dy personat e lartpërmendur. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur arrestimin e dy ish-funksionarëve në Komunën e Kasharit, pas një kërkese të bërë nga Prokuroria e Tiranës. Pikërisht më datë 19 prill, me vendimet nr. 435, 436 dhe 437, gjykata ka vendosur "arrest me burg" për Bashkim Kusin, 45 vjeç dhe Ruhi Valisin, 46 vjeç. Ndërkohë, sektori i operacioneve speciale ka kryer ekzekutimin e këtij vendimi, duke vënë në pranga dy personat e lartpërmendur, por ka shpallur në kërkim edhe një të tretë. Emri i këtij të fundit nuk është publikuar nga policia për shkak të hetimeve. Sipas policisë, pas arrestimit të këtyre dy personave, është ushtruar kontroll edhe në banesat e tyre. Burimet policore nga grupi hetimor thanë se nga kontrolli i ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar një sërë materialesh implikuese për të akuzuarit. Sipas informacioneve të marra, uniformat blu kanë sekuestruar certifikata pronësie, plane vendosjeje të parcelave të tokës, harta regjistruese, si dhe një sërë dokumentesh të tjera. Gjithashtu, grupi hetimor ka sekuestruar edhe dy armë gjahu pa leje dhe një fuoristradë, tip NISSAN, me targë TR0756L, që është në pronësi të Ruhi Valisit. Seksioni i antikrimit ekonomik i ka kaluar provat e sekuestruara në administrim të prokurorisë, ndërkohë që po punohet për kapjen e një personi tjetër. Hetimi për abuzimet me trojet në Kashar ka nisur kohë më parë, ku policia ka arrestuar ish-drejtuesit e komunës. Siç është deklaruar nga grupi hetimor, abuzimet me trojet e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Komunës së Kasharit janë shënuar në një hartë, e cila u sekuestrua në momentin e operacionit të parë të Task-Force, që u zhvillua disa muaj më parë. Sipas grupit hetimor, aty janë paraqitur të gjitha shkeljet, që janë realizuar duke mbivendosur troje në emra të pronarëve të ndryshëm.

Hetimet

Abuzimet, mbivendosje për 30 hektarë tokë

Janë rreth 30 hektarë tokë bujqësore dhe truall që dyshohet se kanë nga dy pronarë. Të dyshuarit kryesorë për këto afera korruptive janë drejtuesit ndër vite të komunës, të cilët duke bashkëpunuar, madje edhe duke mos denoncuar shkeljet e paraardhësve të tyre, kanë kryer një sërë falsifikimesh të dokumenteve. Dëmi ekonomik, sipas akuzës së kryeqytetit, llogaritet në miliona euro. Prej më shumë se shtatë vitesh, tre kryekomunarë në Kashar, kanë abuzuar me mbivendosjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore dhe troje, duke shkaktuar miliona euro dëm. Prokuroria e Tiranës tha se Alfred Sulaj, Faik Fejza dhe Naim Karaj, me detyrë kryetarë dhe ish-kryetarë të kësaj komune, gjatë periudhës 2000-2007, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokave dhe kanë pajisur me vërtetime pronësie persona të ndryshëm, duke mos qenë banorë të Komunës së Kasharit, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Denoncimet janë regjistruar në akuzën kryeqytetase, e cila ka filluar hetimet një vit më parë, në bazë të materialeve të servirura nga të dëmtuarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›