E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja për pronat dërgon në pranga katër persona

Plagosja për pronat në Vaqar të Tiranës ka sjellë arrestimin e tre personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri. Policia deklaroi se pas konfliktit me armë të ndodhur ditën e diel në fshatin Bulticë të Vaqarit, ku mbetën të plagosur 5 persona, uniformat arrestuan autorët e ngjarjes si dhe morrën masën e menjëhershme të arrestit në flagrancë ndaj tyre. Kështu u prangosën Fadil Baftjar Xhabafti, 27 vjeç, Rasim Bexhet Xhabafti, 30 vjeç dhe Radmir Baftjar Xhabafti, 25 vjeç. Ndërkohë është shpallur në kërkim si autor i kësaj ngjarjeje shtetasi Fabjan Abaz Lamja, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bulticë, i dënuar një herë për plagosje. Policia shpjegoi se zanafilla e kësaj ngjarjeje është për një pjesë toke në fshatin Bulticë përmes dy familjeve Xhabafti dhe Lamaj. Ditën e diel, pas një konflikti mes tyre me armë zjarri, ka nisur grindja në lokalin e shtetasit Flamur Agim Xhabafti, 35 vjeç. Gjatë konfliktit, Fabjan Lamja ka qëlluar me automatik dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur Aqif Xhabafti, Rasim Xhabafti, Fadil Xhabafti, Abaz Lamja dhe Muharrem Nurja, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën, pasi kanë pësuar disa dëmtime të lehta në pjesët e këmbëve. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore, nga ku rezultoi se motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë një konflikt i vjetër pronësie. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 13 gëzhoja automatiku dhe dy fishekë të paplasur. Policia tha se po punohet për kapjen e Fabjan Lamjas, tashmë të identifikuar. Sipas dosjes penale, Fadil dhe Rasim Xhabafti akuzohen për veprat penale të vrasjes me dashje, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe të prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe municioneve. Ndërsa, Fabjan Lamja akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Nga ana tjetër, Radmir Xhabafti është akuzuar vetëm për mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›