Gërdeci, dëshmon zv/shefi i Shtabit
Zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Agim Lala, ka rrëfyer kontratat midis Shtabit dhe Ministrisë së Mbrojtjes para hetuesve për dosjen "Gërdeci" në Prokurorinë e Përgjithshme. Për më shumë se dy orë, Lala ka pohuar se ka qenë në dijeni të transportimit të mijërave tonë municionesh për në "fabrikën e vdekjes", por shtabi nuk ka pasur asnjë kompetencë për kontrollin e këtyre municioneve, pasi shkarkoheshin nga automjetet e ushtrisë. Burime nga akuza qendrore thanë se Lala ka deklaruar se kompetenca e shtabit ishte vetëm marrja e sasisë së municioneve nga repartet anembanë Shqipërisë, por ka mohuar që shtabi të kishte dijeni edhe për kontratat që kishin lejuar ngritjen e depos në afërsi të aeroportit ndërkombëtar dhe autostradës Tiranë-Durrës. Hetuesit saktësojnë se Lala ka sqaruar se Shtabi i Përgjithshëm kishte marrë urdhër me vulën "për zbatim" vetëm për transportin e municioneve dhe nuk është pyetur nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen ose jo të kësaj fabrike që "prodhoi" 26 viktima. Ndërkohë, dje, u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Vorë, duke vjedhur skrap, predha dhe gëzhoja në fshatin Gërdec 7 persona, të cilët do të procedohen penalisht për konsumim të veprës penale të "vjedhjes", ndërsa skrapi, gëzhojat dhe predhat e vjedhura ju dorëzuan shërbimeve ushtarake. Ata janë Alim Sadiku, Algert Dushi, Arjan Sadiku, Ajdin Çela, Hava Serjani, Lutfi Duda dhe Jeta Serjani. Atyre iu sekuestruan 14 gëzhoja predhe, të cilat ju dorëzuan shërbimeve ushtarake.