E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me uniformat, arrest shtëpie vetëm për Agur Sadikun

Burg pa afat për pesë nga gjashtë të arrestuar e disa ditëve më parë për abuzimet me tenderët e uniformave. Gjykata e Tiranës i ka komunikuar masën e sigurisë gjashtë të arrestuarve duke vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për pesë të pandehurit Bujar Murati, Tahir Imami, Artan Berberi, Jani Gjergjefi dhe Redi Popescu, ndërsa për Agur Sadikun, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Të gjithë të arrestuarit nuk e kanë pranuar kryerjen e veprave për të cilat akuzohen, madje ata kanë deklaruar përpara gjykatës së në momentin e arrestimit janë marr me forcë nga persona me maska, duke mos ditur se çfarë po ndodhte. Por gjykata, pasi dëgjoj dhe variantin e organit të akuzës, sipas të cilës, gjashtë të pandehuri, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me dhënien e një tenderi për blerjen e uniformave, vendosi të lërë në fuqi masat e dhëna më parë. Sipas organit të akuzës bëhet e ditur se Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme 125.000. euro që u kanë dhënë shtetasve Bujar Murati, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme, dhe Redi Popescu, i cili ka pasur rolin e ndërmjetësit, kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Ndërkohë që burime nga organi i akuzës, bëjnë të ditur se janë duke vazhduar hetimet për të zbardhur bashkëpunëtorë të tjerë të gjashtë të arrestuarve.

Banda e Lushnjës, Shtyhet seanca për shkak të avokatëve

TIRANË - Është shtyrë sërish procesi në ngarkim të të ashtëquajturës “Banda e Lushnjes”. Shkak për dështimin e seancës së djeshme është bërë mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Ndërkohë gjatë seancës së djeshme ishin paraqitur dhe disa dëshmitarë të thirrur nga ana e akuzës, të cilët do të jepnin shpjegimet e tyre lidhur me ngjarjet e ndodhura në qytetin e Lushnjës gjatë kohës kur ka qenë aktive kjo bandë, e cila drejtohej nga Aldo Bare dhe nga krahu i tij i djathtë Enver Dondollaku.

Shembja e pallatit, të hënë jepet vendimi

TIRANË - Vendimi përfundimtar lidhur me shembjen e pallatit të Ilir Matës pritet të jepet ditën e hënë. Kjo gjë është bërë e ditur nga vetë gjyqtarja Arjana Caco, e cila gjatë seancës së djeshme, kur pritej të jepej vendimi, është shprehur se e shtyn atë për në datë 28 dhjetor, me arsyen se ky vendim do të jepet i zbardhur. Procesi gjyqësor është hapur disa javë më parë me kërkesë të Ilir Matës, i cili padiste Inspektoratin e Ndërtimit për prishjen e pallatit që ishte në pronësi të tij. Mata kërkon nga ana e gjykatës, pezullimin e urdhrit për prishje. Tashmë prite dita e hënë për mësuar fatin e pallatit të shumë përfolur në qendër të Tiranës.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›