Skema e funksionimit të Agjencisë për marrjen e pronave të sindikatave
TIRANË - Menjëherë pas miratimit të ligjit për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të sindikatave, qeveria ndërmerr hapin e dytë për inventarizimin dhe regjistrimin e tyre në hipotekë. Këtë proces do ta kryejë Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Ky institucion u miratua me një vendim të posaçëm në mbledhjen e dy ditëve më parë të Këshillit të Ministrave. Përveç pronave të hipotekave, Agjencia do të kryejë të njëjtin proces me të gjitha objektet e kulturës së ish-ndërmarrjeve bujqësore. Pas identifikimit të pasurive, realizohet procesi i inventarizimit, me urdhër të ministrisë së Brendshme, ku marrin pjesë edhe dy ekspertë të Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike.
Agjencia
Vendimi më i fundit i qeverisë për krijimin e Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike synon që të rimarrë të gjitha ato pasuri të patundshme shtetërore që kanë qenë në pronësinë e sindikatave dhe që u janë dhënë të tretëve. Vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave i jep kompetencë këtij institucioni që të identifikojë dhe inventarizojë pronat nën administrimin e sindikatave, të identifikojë marrëdhëniet mes sindikatave dhe personave që i kanë në përdorim dhe të gjitha objektet e kulturës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar në pronësinë e pushtetit vendor, apo përdoren nga persona të tjerë.
Përveç procesit të identifikimit të këtyre pronave, vendimi parashikon që Agjencia të nisë procedurat e mëtejshme me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kjo bëhet duke dorëzuar dokumentacionin e duhur ligjor dhe ku provohet ligjërisht pronësia e këtyre objekteve. Kjo shënon edhe fazën përmbyllëse të kalimit të këtyre pronave në pronësinë e shtetit, duke u bazuar në Ligjin Nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar. Po ashtu, vendimi parashikon edhe inventarizimin e tyre. “Inventarizimi kryhet nga një grup pune, i ngritur me urdhër të ministrit të Brendshëm, ku të marrin pjesë të paktën 2 punonjës të AITPP, të caktuar nga titullari, si dhe ftohen pjesëmarrës nga institucione të tjera. Ky grup pune harton inventarin në bazë të pasurive të luajtshme të identifikuara”, - thuhet në VKM e miratuar dy ditë më parë.
Kuadri ligjor
Vendimi për krijimin e Agjencisë bëhet duke ndryshuar Vendimin paraardhës Nr. 500, datë 14.08.2001 të Këshillit të Ministrave, “Për inventarizimin dhe transferimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe transferimin e pronave në njësitë e qeverisjes vendore”. Po ashtu, për procedurat e ndryshimit të pronësisë në raste të tilla, është edhe Ligji Nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit” dhe të ligjit Nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Brenda tre muajsh pas hyrjes në fuqi të vendimit, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike nis punën sipas pikave që përcaktohen në vendimin e qeverisë. Në realizimin e misionit të saj, ajo bashkërendon punën me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
AITPP, pas përfundimit të afatit tremujor, raporton pranë Këshillit të Ministrave për veprimtarinë e vet për inventarizimin e pronave në administrim të sindikatave. Sipas tij, raportimi duhet të përmbajë të dhënat për: numrin dhe llojin e pasurive të paluajtshme të inventarizuara; numrin e pasurive të luajtshme të inventarizuara; llojin e marrëdhënieve të krijuara me të tretët, për pasuritë në administrim të sindikatave dhe ndryshimin e kësaj marrëdhënieje, nëse ka, ku përshihen: kontratat e qirave me të tretët; kontratat e përdorimit me të tretët; vënien e hipotekave mbi pasuritë në favor të të tretëve; çdo lloj veprimi juridik, të kryer për këto pasuri, që regjistrohet në regjistrat publikë. Po ashtu, në procedurën e raportimit në qeveri përfshihen edhe lista e objekteve të kulturës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar apo duhet të kalonin në pronësi të qeverisjes vendore, të identifikuara; lista e të gjitha objekteve të inventarizuara dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm, që lidhet me procesin.
DETYRAT E AGJENCISË
1- Identifikimin e pasurive shtetërore të paluajtshme në administrim të sindikatave.
2- Inventarizimin e pasurive shtetërore të paluajtshme, në administrim të sindikatave.
3- Identifikimin e marrëdhënieve të krijuara me të tretët për pasuritë në administrim të sindikatave, verifikimin e tyre apo përdor mënyra të tjera të njohura nga ligji.
4- Identifikimin e objekteve të kulturës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar apo duhet të kalonin në pronësi të qeverisjes vendore, sipas legjislacionit në fuqi.
Ligji për sekuestrimin e pronave të sindikatave
Më 8 tetor Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e propozuar nga qeveria për heqjen e kampeve dhe objekteve të tjera që kanë qenë nën administrimin e disa sindikatave në vendin tonë. Tashmë, ka hyrë në fuqi ligji dhe nisja e punës së Agjencisë do të shënojë edhe procedurat për heqjen e të drejtës së përdorimit nga ana e tyre.
Me këtë ligj shteti bëhet pronar i dhjetëra objekteve, kryesisht ish-shtëpitë e pushimit që tashmë janë bërë hotele, në të cilat investitorët kanë kryer miliona lekë investime. Në bazë të ligjit të ri, investitorët duhet të kompensohen nga sindikatat dhe jo nga shteti, pasi tu sekuestrohen pronat. Në shumë raste, çështjet pritet të shkojnë në gjykatë. Siç dihet, sindikatat nuk kanë para dhe investitorëve mund t'u shkojnë dëm miliona lekë investime, pasi tashmë të gjitha objektet janë pronë e shtetit.
Për shtetëzimin e këtyre pasurive, qeveria u mbështet në një ligji të miratuar në vitin 1998 për të njëjtën çështje, sipas të cilit, pas marrjes së pronave në administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020. Nga të dhënat e ofruara nga Hipoteka, një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave është shitur, një pjesë është lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim, duke i lënë në gjendjen e fillimviteve ‘90.
Sindikatat, ankim te ndërkombëtarët: Do të falimentojmë
Sindikatat e kundërshtuan ligjin që në zanafillën e hartimit të tij, duke bërë të gjitha përpjekjet për ta bllokuar. Madje ata kanë zhvilluar disa takime edhe me përfaqësues të Komisionit Europian, OSBE-së, Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave dhe organizma të tjerë. Konfederata e Sindikatave dhe grupimet e tjera sindikaliste bënë disa protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, duke kërkuar që të mos miratohet kuadri ligjor që parashikon heqjen e së drejtës së administrimit të tyre. Këto grupime iu përcollën zyrtarisht kërkesë edhe Presidentit që të mos e dekretojë këtë ligj. Por tashmë procedura ligjore ka përfunduar dhe pritet vetëm ekzekutimi për ndryshimin e pronësisë së objekteve që kanë qenë në përdorimin e sindikatave. Konfederata e Sindikatave e konsideroi këtë nismë të qeverisë si një akt grabitqar për të kënaqur orekset e qeverisë. Po ashtu, ata e cilësuan si një goditje të rëndë që i jepet lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Të ardhurat që vileshin nga dhënia me qira e këtyre pronave përdoreshin për mbajtjen e strukturave sindikaliste në Shqipëri. Më poshtë janë pjesa më e madhe e objekteve që kanë qenë nën administrimin e Sindikatave dhe që pritet të kalojnë në pronësinë e shtetit.
Kampet e pushimit:
BSPSH
1. Kampi i Sarandës
2. Kampi i Durrësit
3. Kampi Dhërmi
4. Kampi i Dajtit (godina e madhe e kampit të pionierëve me 300 vende dhe vila me 25 vende, që janë në dispozicion të shoqërisë së përbashkët "Dajtel", si dhe trualli e territorit prej tetë hektarësh që i bashkëngjiten) dhe zyra e prenotimeve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
5. Kampi i Voskopojës
6. Kampi i Divjakës
7. Kampi i Golemit
8. Kampi i Shirokës
9. Kampi i Pionierëve Durrës
10. Kampi i Qafë Shtamës
11. Kampi i Razmës
12. Kampi i Çajupit (komplet)
13. Kampi i Pogradecit
Konfederata
1. Kampi i Durrësit
2. Kampi i Dhërmiut
3. Kampi i Shëngjinit
4. Kampi i Shirokës
5. Kampi i Korçës
6. Kampi i Pogradecit
7. Kampi i punëtorëve Dajt
8. Kampi i Gjinarit
9. Kampi i Pionierëve Durrës
Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Naftës
1. Kampi i Pionierëve Vlorë
Sindikata e Bashkuar e Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë
1. Kampi i Punëtorëve Pogradec
2. Kampi i Pionierëve Durrës, pa objektet dhe territorin që i mbeten në pronësi BSPSH-së dhe KSSH-së
3. 2000 (dy mijë) metra katrorë në territorin e Kampit të Himarës
Objektet e Kulturës për qytetin e Tiranës
BSPSH
1. Shtypshkronja "Sindikata" (ish-Poligrafia "11 Shkurti").
2. Pallati i Kulturës Kamzë
3. Pallati i Kulturës në kombinatin "Josif Pashko" me 150 vende
4. Ofiçina e ish-BSPSH (50%, sipas skicës bashkëngjitur).
KSSH
1. Pallati i Kulturës "Tekstilisti"
2. Pallati i Kulturës Marikaj
3. Ofiçina e ish-BSPSH-së (50% sipas skicës)
SP e Punonjësve të Naftës
1. Shtëpia e Kulturës Valias
2. Shtëpia e Kulturës Mushqeta
3. Shtëpia e Kulturës Kërrabë
4. Pallati i Kulturës "Ali Kelmendi" ndahet midis BSPSH-së dhe KSSH-së
25 Dhjetor 2009