Festat e fundvitit, ushqimet e shtrenjta dhe të skaduara mbushin tregjet
Ervin KOÇI
Festat e fundvitit bashkë me shtrenjtimin e çmimeve të produkteve ushqimore kanë sjellë edhe fenomenin e shitjes së ushqimeve të skaduara. Pikërisht këto festa janë një okazion i mirë për shumë tregtarë dhe grosistë spekulator që duke përfituar nga babëzia e shqiptarëve për të blerë çdo gjë për festat e fundvitit, gjejnë rastin të pastrojnë magazinat. Por ushqimet dhe pijet e skaduara jo vetëm që nuk falen apo shiten nën kosto, por ato madje tregtohen njësoj sa produktet e tjera duke i shtuar edhe çmimin e rritur për festa. Nisur nga ky fenomen që tashmë është kthyer në rutinë të përvitshme, Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka kryer ditët e fundit një sërë kontrollesh në të tregjet ushqimore për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mallrave që tregtohen. Inspektorët e sigurisë ushqimore kanë arritur të bllokojnë dhe më pas të asgjësojnë gati 400 kuintalë ushqime që u kishte kaluar koha e afatit të përdorimit dhe që ishin në treg për shitje. Kontrollet që kanë nisur në tregjet kryesore të kryeqytetit, do të vijojnë edhe në rrethet e tjera të vendit nga njësitë e përbashkëta të Inspektoratit të Kontrollit Ushqimor në MBUMK-ë dhe Policisë Tatimore. Tregjet në Qytetin e Nxënësve, te ish-uzina “Dinamo”, Pazari i Ri dhe të tjera pika në Tiranë, janë bërë dje objekt i kontrolleve të befasishme.
Kontrollet
Vetëm ditët e fundit janë realizuar kontrolle në 310 subjekte prodhuese dhe tregtuese të produkteve ushqimore në Tiranë. Gjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar produkte ushqimore me afate skadimi të tejkaluar në sasinë rreth 390 kv me vlerë leku rreth 13.272.000 lekë, të cilat janë asgjësuar sipas procedurave të përcaktuara nga ligji “Për asgjësimin e ushqimeve të skaduara”. Problem mbeten tregjet, pasi janë të amortizuar dhe nuk plotësojnë kushtet për të realizuar tregtimin e produkteve me origjinë shtazore. Miratimi dhe kontrolli i tregjeve bëhet nga Pushteti Vendor, ndërsa kontrollin e kushteve higjeno-sanitare e kryejnë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë. Tjetër problem i konstatuar është dokumentacioni shoqërues i mallrave që vështirëson identifikimin e subjekteve prodhuese ose importuese. Kontrollet janë fokusuar edhe në etiketimin në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore të importuara.
Kontrollet në rrethe
Inspektoratet e Sigurisë Ushqimore në të gjitha rajonet e vendit, duke pasur parasysh fluksin e madh të prodhimit, tregtimit dhe konsumimit të produkteve ushqimore, për periudhën e festave të fundvitit kanë kryer kontrolle për parandalimin e riskut, që cenon cilësinë dhe sigurinë ushqimore. “Drejtimet kryesore të kontrollit kanë qenë: Kontrolli i etiketimit të produkteve të prodhuara në vend dhe të importuara. Kontrolli i pijeve alkoolike që tregtohen në lokale të ndryshme dhe në treg si dhe monitorimi i birrës me mostra të kodifikuara. Kontrolli i pikave të tregtimit të lëndëve të para të pastiçerisë (qumësht pluhur, pana, etj) dhe i subjekteve prodhuese të pastiçerisë. Kontrolli i tregjeve të shitjes me shumicë, për afatet e garancisë së produkteve ushqimore, kushteve të ruajtjes se produkteve ushqimore me origjinë shtazore. Kontrolli i kushteve sanitare - veterinare të subjekteve prodhuese dhe tregtuese të produkteve të mishit dhe pikave të therjes”, bëri të ditur dje zëdhënësja e MBUMK-së, Iva Tiço.
25 Dhjetor 2009