Pranga ish-presidentit të klubit të Lushnjës, akuzohet për trafik drogë
Policia arreston Edmond Begën. Akuzohet për lidhje me Bandën e Aldo Bares
LUSHNJE- Duket se të qenit President i një klubi futbolli, është kthyer në një “mallkim”. Pas shumë vrasjesh, vëniesh bomba dhe atentatesh, kohët e fundit është shtuar dhe akuza e “trafikut të lëndëve narkotike”. Rasti më i fundit është regjistruar ditën e djeshme, ku me anë të një operacioni special, është vënë në pranga ish- presidenti i klubit të futbollit të Lushnjës, Edmond Bega. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Bega është prangosur pasi ndaj tij rëndon akuza e “trafikut të drogës”. Arrestimi i tij është bërë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar që ishte lëshuar disa kohë më parë.
Sipas burimeve policore, dyshohet se Bega ka qenë lidhur me “Bandën e Lushnjës” që drejtohej nga i sapo ekstraduari nga Turqia Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare.
Presidentët nën hetim
Rasti Begës, është rasti i dytë ku një President klubi vihet në pranga për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Arben Laze, Presidenti i Elbasanit, është vënë në pranga një vit më parë po me të njëjtën akuzë. Ky i fundit u arrestua në lokalin e tij dhe bashkë me të vëllanë, Fatjon Laze, pasi akuzoheshin për trafik ndërkombëtar droge. Arrestimet janë kryer nga Drejtoria e Antikrimit dhe operacioni është kryer në tre qytete të vendit, Elbasan, Lushnjë dhe Fier. Së bashku me dy vëllezërit Laze janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nga Fieri. Ata janë Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma. Të arrestuarit u vunë nën akuzë për një organizatë kriminale dhe për trafik ndërkombëtar droge. Edhe Mihail Delijorxhi është një nga presidentët e klubeve që është vënë nën hetim për tragjedinë e Gërdecit. Pronari i kompanisë Alb-Demil, ka drejtuar klubin e futbollit të Dinamos.
Ekzekutimet
Ekzekutimi prej profesionisti i ish-presidentit të Tomorit të Beratit, Edmond Malollari, më 14 dhjetor 2005, iu shtua një liste të gjatë të ngjarjeve kriminale që lidhen me futbollin. Njeriu që sponsorizonte klubin beratas të futbollit u bë i dyti president i Tomorit që gjen vdekjen nga plumbat. Përpara tij, më 14 maj 2000, u vra ish-presidenti Adrian Çobo, 32 vjeç, thuajse në të njëjtin vend në Tiranë, në një nga ish-lokalet pranë stadiumit "Selman Stermasi", te Tirana e Re, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Tomori, të fituar nga skuadra beratase. Bashkë me Çobon, që arriti ta bëjë Tomorin një finalist në duelin me Tiranën për të fituar titullin e sezonit 1999-2000, u vranë në atentat edhe ish-gjyqtari i FIFA-s, Luan Zylfo si dhe u plagos në këmbë gjyqtari ndërkombëtar, Albano Janku. Një tjetër vrasje e bujshme është ajo e ish-presidentit të Vllaznisë së Shkodrës, Myftar Çela, 46 vjeç, që mundi t’i dhuronte titullin e fundit kampion Vllaznisë, në edicionin 2000-2001, pas atij të sezonit 1996-1997, gjeti vdekjen nga plumbat më 14 qershor 2002, në Tuz të Malit të Zi. Në tjetër president i vrarë është edhe ai i Federatës Shqiptare të Boksit, Vajdin Lamaj, që u ekzekutua në ashensorin e pallatit të tij gjatë një atentati me eksploziv C4, të komanduar përmes celularit, më 1 mars 2005, pasi i kishte shpëtuar më parë një tjetër atentati, më 15 tetor 2004.
Vrasjet dhe arrestimet e presidentëve të klubeve
14 maj 2000: Adrian Çobo, ish-president i Tomorit të Beratit, ekzekutohet në një lokal pranë stadiumit "Selman Stermasi", në kryeqytet
14 qershor 2002: Myftar Çela, ish-president i Vllaznisë së Shkodrës, ekzekutohet në Tuz të Malit të Zi nga një ish-ortak i tij
25 prill 2004: Arrestimi i Mihal Delijorgjit, ish-presidentit të Dinamos, për mospagim taksash në shtet
14 dhjetor 2005: Edmond Malollari, ish-president i Tomorit të Beratit, ekzekutohet afër shtëpisë së tij, pranë stadiumit "Selman Stermasi" në kryeqytet
1 mars 2005: Vajdin Lamaj, që u ekzekutua në ashensorin e pallatit të tij gjatë një atentati me eksploziv C4, të komanduar përmes celularit, më 1 mars 2005.
11 gusht 2006: I vihet eksploziv shtëpisë së presidentit të Klubit të Futbollit të Elbasanit, Arben Laze.
24 dhjetor 2008: Arrestohet Presidenti i Elbasanit, Arben Laze për “trafik droge”
24 dhjetor 2009: Arrestimi i ish-Presidentit të Lushnjës, Edmond Bega për “trafik droge”
25 Dhjetor 2009