E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi, nafta shqiptare kushton 25% më shumë

Në tregjet ndërkombëtare, vetëm brenda tre muajve, çmimi i naftës është ulur nga 120 në 60 dollarë për një barelë (159 litra) Konfindustria ngre shqetësimin se po abuzohet me “arin e zi”, në një kohë kur, çmimi në bursa, është përgjysmuar

TIRANË - Çmimet e karburanteve në Shqipëri vazhdojnë të mos njohin ulje, duke dhënë shenjat e një abuzimi të pastër. Pas rritjes katastrofike të arit të zi, që solli edhe krizën globale të çmimeve, në tregjet ndërkombëtare, vetëm brenda tre muajve, është përgjysmuar çmimi i naftës. Nga 120 dollarë një barelë (159 litra), tashmë çmimi nuk po ngrihet më shumë se 60 dollarë, për të njëjtën njësi matëse. Kjo duhet të kishte sjellë një ulje të ndjeshme të çmimit të naftës edhe në Shqipëri.

“Bazuar në analizat krahasimore të çmimeve të tregjeve, del se çmimi i karburanteve në Shqipëri është, të paktën 25% më i lartë sesa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal”, - citohet në deklaratën e Konfindustrias. Kjo shoqatë shpreh shqetësimin e saj për mospasqyrimin në tregun shqiptar të rënies së ndjeshme të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme dhe afatgjata, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në normalizimin e tregut të karburanteve. Nga studimet rezulton se, çmimi i karburanteve në tregun vendas, nuk ka pasur luhatje kah uljes, pavarësisht se në tregjet nga ku ai importohet vërehen rënie të konsiderueshme. Ndikuar edhe nga kriza financiare që ka përfshirë ekonomitë më të mëdha botërorë, të cilat importojnë sasi të konsiderueshme, çmimi i naftës ka rënë aq shumë, sa ka detyruar vendet e OPEK-ut të vendosin uljen e prodhimit me qëllim ngritjen e tij. Po të bazohemi vetëm në zhvillimet e brendshme, rezulton se as vlerësimi 25% i dollarit ndaj lekut gjatë tre muajve të fundit, nuk mund të konsiderohet shkak për mosuljen e çmimeve. Në një situatë të tillë, Konfindustria deklaron se, keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës.

Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore, krahasuar me ato të importit, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive tona. Gjithashtu, çmimet e larta të karburanteve, ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore dhe në mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptarë. Një tjetër sektor, ku çmimi i lartë i naftës prek drejtpërdrejt qytetarët, është transporti. Meqenëse në Shqipëri mungojnë mjetet e transportit publik apo individual, të cilat punojnë me energji alternative, i gjithë sistemi i transportit është i bazuar vetëm tek mjetet që punojnë me naftë ose nënprodukte të saj. Për pasojë, një luhatje e vogël e çmimit të karburanteve, ndikon direkt në xhepat e tyre. “Në kushte të tilla, roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar, në afatgjatë, rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme”, - citohet në deklaratë. Në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve në vend, vërehen vazhdimisht pakënaqësi në lidhje me çmimin, sasinë dhe cilësinë e naftës. U mbetet autoriteteve përkatëse të marrin masat për shmangien e këtyre fenomeneve.

DEKLARATA

Duhet krijuar Entit Kombëtar i Karburanteve

TIRANË - Konfindustria i ka bërë dje thirrje Ministrisë së Ekonomisë për ngritjen e Entit Kombëtar të Karburanteve. Në analizën për situatën e tanishme të tregut të karburanteve, ajo sugjeron ngritjen e një organi, i cili do të monitorojë mbarëvajtjen e këtij tregu. Ky sugjerim bëhet në kushtet kur, shteti shqiptar, me privatizimin e kompanisë publike “ARMO”, nuk ka më asnjë mjet për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve. Ky Ent duhet të monitorojë në vazhdimësi dhe të ndërhyjë për të rregulluar pikërisht çrregullimet subjektive të tij, sikurse teorikisht bëhet edhe me tregje të tjera strategjike, siç janë telekomunikacionet dhe energjia. Shembuj të institucioneve të tilla ekzistojnë, jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE-së dhe botës, por edhe në vende të rajonit tonë. “Ndërtimi i një Enti të tillë është domosdoshmëri, sidomos në kushtet e krizës së përgjithshme, që ka përfshirë tregjet ndërkombëtare dhe pas privatizimit të kompanisë ARMO”, - thanë përfaqësuesit e Konfindustrias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›