G99-ta, strategji për punësimin e të sapodiplomuarve
TIRANË - Problemi i punësimit të të rinjve, por edhe numri i madh i të diplomuarve që dalin çdo vit nga fakultetet e shumta shqiptare, është ngritur dje gjatë një takimi nga grupimi G99. Sipas aktivistëve të këtij grupimi, qindra të diplomuar në juridik, ekonomik dhe shkenca politike, përballen çdo vit në Shqipëri me ashpërsinë e një tregu pune, i cili kërkon gjithnjë e më tepër informaticienë dhe profesionistë të fushave teknike. “Sot flasim shumë për politikën dhe shumë pak për politikat. Vërejtjet dhe kontributi i studentëve, si një grup interesi që preket drejtpërdrejt nga ky problem, janë aset i çmuar për hartimin e një strategjie të suksesshme, për të zgjidhur një nga problemet më të vështira, me të cilat përballen të rinjtë sot”, - tha kreu i këtij grupimi, Erion Veliaj. Sipas planit të G99-ës, të prezantuar nga Veliaj, tre janë shtyllat kryesore, në të cilat duhet të punohet intensivisht për nxitjen e punësimit të të rinjve. E para është rritja e cilësisë së arsimit dhe orientimi i tij drejt kërkesave të tregut të punës, duke nxitur investimin në ato sektorë që kanë kërkesë më të madhe pune. E dyta është inkurajimi i arsimit profesional të specializuar sipas dinamikave specifike të zonave dhe qyteteve të ndryshme. Ndërsa shtylla e tretë, sipas G99-ës, është përdorimi i një spektri të gjerë dhe kreativ incentivash financiare, të cilat inkurajojnë sipërmarrjet dhe punësimin e të rinjve, si në mënyrë direkte, ashtu dhe nëpërmjet kreditimit të butë.