Shtypi botëror ‘kryqëzon’ Francën
Leonard Karaj
Turp, tradhti, skandal e deri ofendime ndaj sulmuesit të Francës Tierri Henri dhe trajnerit Domenek. Mediat mbarë botërore janë marr gjerë e gjatë dje me mënyrën sesi kombëtarja franceze u kualifikua për në botërorin afrikan në dëm të Irlandës. Dora e Henrisë që dha asist për golin e barazimit dhe të kualifikimit është bërë objekti kryesor i të gjithë titujve të gazetave botërore përfshirë këtu edhe ato franceze. Edhe shtypi i këtij vendi ka kritikuar ashpër kombëtaren e tyre jo vetëm për prekjen me dorë të topit nga Henri por edhe për vetë lojën që ka bërë skuadra e "gjelave" gjatë këtyre kualifikimeve. "Dora e Zotit", ky ishte titulli i faqes së parë të të përditshmes sportive franceze "L'Equipe", e cila e cilëson si një turp kualifikimin e Francës për në botëror. Madje gazetari e konsideron si një faull prekjen me dorë të topit nga Henri duke vënë në dukje se për francezët e ndershëm Afrika e Jugut është ende larg. Ndërsa "Le Parisien" e cilëson "të mrekullueshëm dhe të madh" faullin e Henri, i cili ia dha kualifikimin Francës, por nuk lë pa kritikuar edhe trajnerin Rajmond Domenek për mënyrën se si ka drejtuar skuadrën gjatë këtyre viteve. Ndërsa "Le Figaro" flet për "dorën e lirisë", ajo që i dha Francës "botërorin e vuajtjeve". Kjo gazetë citon kaluarin e përfaqësueses së "gjelave" gjatë këtyre kualifikimeve. Shtypi irlandez ka shpërthyer në komente plot ofendime ndaj Francës dhe Tierri Henrisë, të cilën e cilësojnë si "më negativin e mbrëmjes së mërkurë". Sipas "Irish Times" Irlanda ishte padyshimtin më të vogël skuadra më e mirë në fushën e lojës dhe meritonte kualifikimin. Ndërsa Henrinë e cilëson si "dinakun" dhe "tradhtarin" më të madhe të futbollit aktual. Ndërsa nuk ka mbetur pa bërë vlerësimin e vet edhe televizioni shtetëror irlandez i cili deri para pak javësh ka qenë kritiku më i madh ndaj trajnerit Xhiovani Trapatoni. "Një ndeshje e shkëlqyer e përlyer në fund nga një dorë e turpshme, por i gjithë vendi është krenar për lojtarët dhe trajnerin e tyre Trapatoni". Skandali i mbrëmjes së mërkurë ka zënë vend edhe në shumë media të tjera anekënd botës të cilat, vini theksin pikërisht tek dora e Henrisë si dhe reagimi aspak dinjitoz i drejtuesëve të federatës Franceze mbi këtë gjë. Ndërsa prestigjiozja "Nju Jork Tajms" e konsideron Henrinë si një "hajdut" përderisa nuk tregoi profesionalizëm duke treguar arbitrit se kishte prekur topin me dorë. "Dhe Tierri Henri futen të listën e 'hajdutëve", shkruhej në editorialin e kësaj media. Ndërsa "Shanghai Daily" gjithë ironi e sarkazëm e cilësonte dorën e Henrisë që i dha kualifikimin Francës si spotin më të mirë të mundshëm që mund ti bëhej startit të një Botërori. Ndërsa federata irlandeze ka kërkuar dje zyrtarisht që ndeshja të riluhet edhe një herë.