E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenori serb i kthen vizitën Tashkos pas 64 vjetësh

 

Alma Mile

Ai po kthen vizitën Tefta Tashkos, pas 64 vjetësh. Aleksandar Dojkovic vjen nga Beogradi. Roli i Narabothit, komandantit të rojeve të Herodit, në operën "Salome" e solli në Tiranë, për të parën herë. Madje, ai është i pari këngëtar lirik serb që këndon në Shqipëri. Ndërsa nga pala shqiptare, e vetmja përfaqësuese ka qenë sopranoja Tefta Tashko Koço. Për tenorin serb ky fakt është i çuditshëm. "Jemi komshi", thotë ai, teksa shqipton fjalën "komshi". "Si ka mundësi që nuk kemi bashkëpunuar më parë! Arti nuk njeh kufij". Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, ai ka parë sa të ngjashëm jemi shqiptarë e serbë. "Ballkanasit nxjerrin çdo gjë në tavolinë për mikun. E duan jetën. Këtë shoh në Shqipëri dhe më pëlqen", thotë tenori i Teatrit Kombëtar të Beogradit. I pëlqen gjithçka që sheh në Tiranë. I duket aq i njohur ky vend. Njerëzit janë të dashur e mikpritës si në vendin e tij, edhe ushqimi është i ngjashëm, vetëm emrat ndryshojnë.. Por ka edhe fjalë që i kemi njëlloj… Në një intervistë ai flet për shfaqjen, por edhe fqinjërinë shqiptaro-serbe.
Z. Dojkovic, kjo është hera juaj e parë në Shqipëri, cilat janë përshtypjet?
Ishte hera e parë që vija në vendin tuaj, në kryeqytetin shqiptar, falë ftesës së drejtorit të TKOB, për të marrë pjesë në këtë produksion internacional. Gjithçka ka shkuar mirë dhe jam i kënaqur. Më pëlqen vendi juaj. Shoh kudo që ndërtohet... Ka pak kaos, por është pozitiv
Historitë e dy vendeve tona fqinje kanë qenë të komplikuara dhe ju jeni i pari këngëtar lirik që këndoni në skenën e TKOB-it…
Po është e vërtetë, jemi "komshi". Është për t'u çuditur, që jemi fqinj e nuk kemi punuar kurrë me njëri-tjetrin. Ndoshta shumë kohë më parë, në vitet '40. Dhe është e çuditshme, pasi në botën e artit nuk ekzistojnë kufij. Arti është i njëjtë për të gjithë dhe muzika është një gjuhë ndërkombëtare, veçanërisht ajo lirike.
Fatkeqësisht është kështu, por jemi duke bërë gjithçka për të vendosur kontakte e për të vendosur bashkëpunimin mes teatrove tona kombëtare.
Ka ndonjë rëndësi kjo për ju?
Ndoshta një vogëlsi historike. Por tanimë ne jemi mësuar të punojmë me kaste ndërkombëtare. Artistët vijnë nga vende të ndryshme, dikush nga Amerika, një tjetër nga Afrika e Jugut, Franca, etj.
Por le të vijmë tek "Salome", ç'është kjo vepër dhe sa arritët të përshtateshit me trupën shqiptare?
Është shumë e rëndësishme të thuhet se muzika bashkëkohore e Richard Shtraus është tepër e vështirë, kudo që luhet në teatrot botërore dhe është gjë shumë e mirë, që teatri juaj po arrin të vërë një vepër të tillë. Mund të them që muzikantët janë të zotët, orkestra është shumë e mirë, me një cilësi të mirë tingulli e po kështu edhe këngëtarët tuaj janë shumë të mirë e të përgatitur. Kemi punuar si një skuadër.
Na flisni pak për personazhin e Narabothit, tek "Salome", sa i vështirë është për t'u interpretuar?
Është një karakter i dyzuar, pasi është një ushtar tepër i dashuruar pas Salomesë. Ai është pjesë e një trekëndëshi dashuror. Është një rol që më pëlqen dhe që i përshtatet zërit tim. Për mua ky është një rol unik i belkantos. Dhe kjo nuk është hera e parë që e interpretoj. Ka qenë premierë absolute në vitin 2005 në Beograd, ndërkohë që e kam luajtur edhe në skena të tjera në Itali, etj. Dhe është një rol i vështirë, kudo që interpretohet.
Nëse kthehemi pas në kohë, si nisët të këndoni?
Ime më ka qenë mësuese muzike dhe muzika ka qenë e pranishme gjatë gjithë jetës në shtëpinë time. Kam mësuar instrumente e kam kënduar qysh i vogël. Por, do ta quaja një dhuratë të Zotit, pasi kam studiuar për jurist. Një tjetër botë. Dhe do ta quaja vërtetë dhuratë të Zotit, sepse është një profesion që më pëlqen vërtetë shumë. Për herë të parë kam kënduar në Operën e Beogradit në vitin 1996 në "Flautin magjik" dhe tani repertori im është shumë i gjerë.
E keni ushtruar ndonjëherë profesionin e juristit?
Ah jo, asnjëherë, por shpesh miqtë e mi më kërkojnë t'i ndihmoj për kontrata, apo në shpjegimin e neneve të ndryshme. Por nuk mendoj ta ushtroj edhe më vonë. Nuk bën për mua.
A mund të jetojë normalisht ekonomikisht një këngëtar lirik?
Në këtë kohë krize, kudo ka probleme ekonomike, shkurtime buxhetesh e kultura është e para që e pëson e pastaj edukimi… Kudo është kështu, por mund të jetosh normalisht me pagesën si këngëtar dhe qeveria është kujdesshme, sidomos kur bëhet fjalë për teatro kombëtare. Personalisht kam i kënaqur, pasi punoj dhe me teatro të tjera.
Sa i interesuar është publiku serb për muzikën operistike?
Është i njëjtë si këtu. Publiku i premierës është paksa ndryshe nga netët e tjera, pasi jepen shumë ftesa, është një publik pak më i "lartë", por në të tjerat publiku është i njëjtë. Është një publik i gjallë, që të ndjek me zemër.
Kjo tregon se jemi të ngjashëm, apo jo?
Është normale, pasi jemi ballkanas dhe kulturat janë shumë të ngjashme. Madje edhe kuzhina është njësoj dhe jam shumë i kënaqur, pasi të gjitha pjatat përgatiten ashtu si i bën ime më, vetëm emrat ndryshojnë.
Mendoni se është momenti të rrëzohen muret artificiale që ka ngritur politika mes tonë?
Personalisht shpresoj që në të ardhmen gjithçka të shkojë mbarë për gjithë Ballkanin. Të mund të rrëzohen këto regjime të pakuptimta vizash. Duhet të udhëtojmë, të bashkëpunojmë e të shkëmbejmë kultura e mendime me njëri-tjetrin. Duhet të shikojmë nga e ardhmja, pasi fëmijët tanë presin shumë nga ne.
Kur flasim për serbë e shqiptarë, në mend na vjen historia…
Ndoshta kjo ndodh këtu, sepse tek ne nuk ka asgjë të tillë. Në Serbi jetojnë shumë shqiptarë dhe jetojmë miqësisht me ta. Unë kam një mik shqiptar, kam bërë shkollën me të. Nuk ka asnjë lloj paragjykimi.

Bashkëpunimi shqiptaro-serb
Gjatë dashurisë jetëshkurtër shqiptaro-serbe, vetëm sopranoja Tefta Tashko Koço do të shkeltë në teatrin Kombëtar të Beogradit. Kjo do të ishte hera e fundit për shqiptarët, por edhe për karrierën e Tashkos, e cila u nda nga jeta 2 vjet më vonë nga një sëmundje e rëndë në Tiranë. Serbët nuk mundën të na i kthenin dot vizitën. Lidhjet me jugosllavët u prishën, ndërkohë që edhe pas rënies së diktaturës marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të acaruara për shkak të çështjes së Kosovës. Aleksandar Dojkovic është këngëtari i parë serb që shkel Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dhe duket se urat e bashkëpunimit janë hedhur së fundi. Në kuadrin e marrëdhënieve ndërrajonale midis teatrove operistikë të Evropës Juglindore dhe në kuadrin e takimeve të organizuara nga projekti CEE Musik Theatre - Wien, drejtori i TKOB Zhani Ciko Ciko u ftua ne festimin e përvjetorit të ngritjes së Teatrit Kombëtar të Beogradit dhe më pas gjithashtu drejtori i këtij teatri z. Dejan Savic, bëri një vizitë në Shqipëri, duke vizituar TKOB dhe Teatrin Kombëtar. Praktikisht takimi në Beograd ishte shumë i përzemërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›