E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga Virxhinia Ulf, shtyhet premiera në TK

 

Paska qenë vërtetë për t'u pasur frikë Virxhinia Ulf. Duket se vepra "Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf", e zgjedhur për të hapur sezonin e premierave në Teatrin Kombëtar, paska qenë tërësisht e pafatë. Për të disatën herë mësojmë se premiera do të shtyhet, duke zhgënjyer sërish spektatorin, që pret një shfaqje të re nga TK. Ditën e djeshme ishte parashikuar zhvillimi i konferencës për shtyp, që do të paraprinte premierën e nesërme, por mësojmë për fatkeqësinë e radhës. Një nga protagonistet e shfaqjes, aktorja Eftiola Laçka është aksidentuar gjatë provave, duke pësuar një frakturë të rëndë, gjë që me këshillën e mjekut do t'i kushtojë 10 ditë qëndrim shtrati. Dhe po kaq e në mos më shumë do të shtyhet edhe premiera e dramës amerikane me autor Edward Albee. Dhe kjo nuk është shtyrja e parë. Ishte parashikuar që vepra e cila do të ngjitej në skenën e TK-së nga regjisori i ri nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi të shfaqej qysh në muajin shtator, por punët nuk shkuan sipas parashikimit. Ndonëse përgatitjet kishin filluar muaj më parë, regjisorit iu desh të ndryshonte aktorët kryesorë. Luiza Xhuvani e Ndriçim Xhepa në rolet kryesore u tërhoqën. Xhuvani tanimë është deputete (në bojkot) i parlamentit shqiptar. Dy aktorët u zëvendësuan me Eva Alikajn e Viktor Zhustin. Mësuam se shfaqja do të ishte gati qysh në javën e parë të nëntorit, megjithatë gjendja jo e mirë shëndetësore e aktores Alikaj e shtyu premierën. Më në fund sipas kalendarit zyrtar, premiera do të ishte në datën 21 nëntor. Por ja që nuk qe e thënë. Pas shfaqjes së dramës së Mihal Luarasit "Antigona kërkon të atin", Teatri Kombëtar nuk do të mund të shfaqë premierën e shumëpritur, duke e bërë edhe më të varfër kalendarin e TK-së. Këtë mungesë do të mund ta "mbulojë" deri diku me Festivalin Teatror të të Rinjve, i cili do të nisë sot, deri në 25 nëntor. Ndërsa në 7 dhe 8 dhjetor do të shfaqet vepra fituese. Deri atëherë do të mund të bëhen bashkë të gjithë aktorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›