E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i SHBA, kokë më kokë me Ina Ramën

 

TIRANE - Ambasadori i Shteteve tw Bashkuara të Amerikës Xhon Uidhers zhvilloi dje një takim kokë më kokë me kryeprokuroren Ina Rama. Diplomati i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka qëndruar për rreth një orë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme në një takim me drejtuesen e këtij institucioni. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat nuk dhanë detaje mbi objektin e bisedës apo qëllimin e takimit. Rreth mesditës, eskorta e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hyrë në Prokurorinë e Përgjithshme. Më pas ambasadori ka mbërritur në zyrën e kryeprokurores Ina Rama, ku ka qëndruar për mëse një orë në një takim kokë më kokë.
Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se takimi është zhvilluar me kërkesë të ambasadorit amerikan, i cili ditët e fundit kishte parashikuar në axhendë një bisedë punë me kryeprokuroren Ina Rama. As Prokuroria e Përgjithshme, as Ambasada amerikane nuk kanë bërë komente në lidhje me temën e bisedës. Dy institucionet gjithashtu, nuk dhanë ndonjë deklaratë shtypi në lidhje me takimin. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se takimi mes diplomatit dhe kryeprokurores ka pasur për objekt bashkëpunimin e organit shqiptar të akuzës me institucionet homologe në Shtetet e Bashkuara. Po kështu objekt i takimit, sipas burimeve jozyrtare mësohet se ka qenë edhe lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar. Takimi është zhvilluar në ditën kur Komisioni Evropian publikoi raportin vjetor për Shqipërinë, në të cilin flitet gjerësisht mbi tragjedinë e Gërdecit, e cila u hetua vitin që shkoi nga prokuroria. Në raport flitet edhe për raportet e Qeverisë me institucionet e pavarura përfshi dhe Prokurorinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit ICITAP dhe OPDAT, kanë ndihmuar prokurorinë shqiptare dhe policinë gjyqësore në rritjen e kapaciteteve për luftën kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Një sërë sistemesh moderne të informacionit kriminal janë futur në përdorim në polici me ndihmën e autoriteteve amerikane, të cilat mbështetën edhe ngritjen e Zyrës Task Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila është vendosur në vijën e parë të ndjekjes penale ndaj rasteve të korrupsionit në administratë dhe krimit ekonomik.                              tr.so     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›