E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji lë në këmbë kryeprokurorët

 

Trazhgim Sokolaj

Ligji i miratuar së fundi në Komisionet Parlamentare të Ekonomisë dhe të Ligjeve u heq makinat edhe titullarëve të prokurorisë. Burime zyrtare nga organi i akuzës, pohojnë se drafti, i cili pritet të kalojë në seancë në Kuvend për miratim lë "në këmbë", drejtuesit e prokurorive në të gjitha rrethet e vendit. Sipas burimeve nga prokuroria, ligji në fjalë, pritet të zbatohet në këtë institucion, si pjesë e administratës, duke i lënë vetëm kryeprokurores Ina Rama, një automjet shtetëror në dispozicion. Prokurori i Rrethit të Tiranës, pesë zv/drejtuesit, drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokurori i Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe të gjithë drejtuesit e prokurorive në gjithë rrethet e vendit, nuk do të kenë më në dispozicion automjetet zyrtare shtetërore që kishin deri më tani. Për shkak të rrezikshmërisë së çështjeve në hetim, disa prej këtyre drejtuesve, vitet e fundit jo vetëm që kishin në përdorim automjete të dhëna nga shteti, por transportimi i tyre gjatë lëvizjeve për kryerjen e detyrës, bëhej nën masat e forcave speciale të policisë.    
Prokurorët pa makina
Gjatë viteve të fundit drejtuesit e prokurorive të Shkallës së Parë në rrethe, por edhe titullarët e prokurorive të Apelit, transportoheshin nga banesa në institucion dhe anasjellas, me automjete të dhëna nga shteti. Ligji i miratuar së fundi në komisionet parlamentare e ndalon këtë, duke vendosur që kryeprokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit të mos shoqërohen me automjete nga banesa e tyre deri në zyrat e punës. Ligji parashikon se lëvizja e prokurorëve me mjetet e shtetit do të bëhet vetëm në itinerarin gjykatë-prokurori, ku përfaqësuesit e akuzës shkojnë për të ndjekur gjyqet e të pandehurve. Ligji parashikon se prokurorëve që aktualisht janë të pajisur me automjete, do t'u jepet një shumë prej 35 mijë lekësh në muaj për të mbuluar shpenzimet e transportit me mjete të tjera pas heqjes së automjeteve shtetërore. Parashikimi për pajisjen e drejtuesve të prokurorive me automjete shtetërore ishte bërë vitet e fundit për vetë natyrën e punës, pasi ata lëvizin jashtë itinerarit prokurori-gjykatë gjatë ditës, për në organet e policisë apo institucione të tjera, me të cilat mbajnë marrëdhëniet e institucionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›