E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzoi me 4-vjeçaren, maniaku në Gjykatë

Gjykata e Tiranes

TIRANE – Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi si të pandehur një 51-vjeçar të akuzuar për kryerjen e “veprave të turpshme” me një të mitur 4-vjeçare. Dosja penale në ngarkim të Ylli Tafajt është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës dhe mban numrin 1137. Burime zyrtare të Gjykatës pohuan se dosja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Arjana Caco. Referuar vendimit të Gjykatës, që caktoi “detyrim për paraqitje” për të pandehurin pas ndalimit të tij, ngjarja për të cilën akuzohet Tafaj është shënuar në zonën pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. “Në datën 31.01.2012, rreth orës 15:40, shtetasja S.S., e datëlindjes 2008, ndodhej në oborrin e lagjes ku ajo banon. Ndërkohë, në distancë prej saj ndodhej dhe shtetasja S. Z., e cila ka lidhje gjaku me shtetasen S. S. Në një moment, pranë shtetases S. S. është afruar shtetasi Ylli Tafaj, i cili e ka marrë atë duke u drejtuar për tek automjeti i tij, të cilin e kishte parkuar pak më tutje. Në momentin që shtetasi Ylli Tafaj është afruar pranë automjetit, ai ka filluar ta zhveshë shtetasen S. S. Këtë veprim të shtetasit Ylli Tafaj e ka konstatuar S. Z., e cila është afruar menjëherë pranë vendit ku ndodhej Ylli Tafaj së bashku me shtetasen S. S. Shtetasja S. Z. ka mundur ta largojë të miturën nga Ylli Tafaj, i cili ka vazhduar t’i ndjekë. Në këtë kohë, në atë vend është afruar shtetasi M. A., i cili ka bërë të mundur të bllokojë largimin e shtetasit Ylli Tafaj, si dhe të njoftoje, nëpërmjet telefonit celular, Policinë e Shtetit”, rrëfehej ngjarja në vendimin e Gjykatës.                                                                 ar.ba

Kushtetuesja i heq 18 vjet burg maniakut

Gjykata Kushtetuese

TIRANE – Gjykata Kushtetuese ka kthyer për rigjykim dosjen penale ndaj një personi homoseksual nga Lushnja, të akuzuar për përdhunimin e një të mituri në Fier në vitin 2006. Gjykata Kushtetuese, më 2 prill 2012, ka vendosur rikthimin në Gjykatën e Lartë të çështjes penale ndaj shtetasit Ilir Velo, me pretendimin se dënimi i dhënë më parë ndaj tij me 18 vjet burg ishte bazuar në paragjykime për orientimin e tij seksual. Ngjarja ka ndodhur në datën 26 mars 2006, kur i mituri me inicialet V. Gj., në prani të prindërve të tij, ka bërë kallëzim tek oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier se ndaj tij, rreth orës 12:00-12:30 të asaj dite, pranë shinave të trenit në lagjen “8 Shkurti” në Fier, është kryer krimi i marrëdhënieve homoseksuale me dhunë. Policia, më 10 prill 2006 e ka çuar në Prokurori referimin se “nga burime konfidenciale ka marrë të dhënën se në atë zonë, atë ditë, në atë lagje dhe në ato orë, është parë të lëvizte një shtetas homoseksual nga qyteti i Lushnjës. Në bazë të verifikimeve është identifikuar kërkuesi, i cili u shoqërua në komisariat si i dyshuar dhe pas paraqitjes për njohje ai u njoh nga i dëmtuari si autor i kësaj vepre penale”. Pas kryerjes edhe të një sërë hetimesh paraprake, Prokuroria e dërgoi çështjen për gjykim. Më 1 dhjetor 2006, Gjykata e Fierit ka vendosur deklarimin fajtor të kërkuesit Ilir Velo për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur, parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal dhe e ka dënuar me 18 vjet burgim. Gjykata e Apelit Vlorë e la në fuqi këtë dënim, i cili po ashtu u la në fuqi edhe në Gjykatën e Lartë. Më pas i dënuari bëri ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se paraqitja për njohje me të miturin kishte qenë e parregullt. Ai gjithashtu pretendoi se gjykatat nuk i kishin argumentuar dënimet ndaj tij dhe se masa e ndëshkimit me burg ishte bazuar jo në prova, por në paragjykime për orientimin seksual të të akuzuarit. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që dosja penale të kthehet edhe njëherë në Gjykatën e Lartë për rishqyrtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›