Pengmarrja 1.8 mln euro në Greqi, u bllokohen pronat

Gjykata e Krimeve të Rënda
Dy shqiptarët, llogari bankare e apartamente me paratë e gruas greke.
Prokuroria kërkon në Gjykatën e Tiranës konfiskimin e pasurive të dy shqiptarëve të akuzuar për pengmarrje në Greqi. Organi i akuzës ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për konfiskimin e pasurisë së shtetasve Mariglen Kuqi dhe Oltion Sadikaj. Pasuria e tyre aktualisht është e bllokuar nga Prokuroria në zbatim të dispozitave të ligjit “Antimafia”. Dy shqiptarët, bazuar në letër-porositë e ardhura në Shqipëri nga Greqia, akuzohen se kanë marrë dhe kanë mbajtur peng një grua në Selanik të Greqisë. Rrëmbimi i 76-vjeçares në Greqi mësohet se është bërë kundrejt shumës së kërkuar për lirimin e saj në vlerën 1.8 milionë euro. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në qershor 2009, ndërsa në këtë kohë, shqiptarëve i ishte paguar shuma 1.8 milionë euro. Gjatë hetimeve u mësua se shuma ishte transferuar në Shqipëri. Policia filloi hetimet dhe bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shtetasit Mariglen Kuqi nga Lushnja iu sekuestruan dy apartamente me vlerë rreth 208 mijë euro dhe një llogari bankare me vlerë rreth 301 mijë lekë të rinj. Ndërkohë, hetimi vazhdoi dhe shtetasit Oltion Sadikaj, nga Elbasani, që iu sekuestrua një llogari bankare me vlerë 30 mijë euro.
Kthimi në Shqipëri
Dy shqiptarët akuzohen se më 19 qershor 2009 rrëmbyen në hyrje të banesës së saj në “Palio Faliro Krono 1921″, shtetasen 74-vjeçare Evanthia Farnkogjeorgji. Ndërsa mbanin peng shtetasen greke në Selanik, dy të akuzuarit, së bashku me gjashtë persona të tjerë, i kanë kërkuar mikut të saj, shtetasit grek Ari – Anastasi Theodhoridhi, shumën 1.8 milionë euro. Kjo shumë, sipas hetimeve, është paguar më 26 qershor 2009, kohë në të cilën është bërë edhe lirimi i gruas. Pasi kanë marrë paratë, të nesërmen e lirimit të pengut, Oltjon Sadiku dhe Mariglen Kuqi u kthyen në Shqipëri. Ata hynë në territorin shqiptar, ndërsa policia e mësoi këtë fakt nga sistemi TIMS, ku skanohen pasaportat në kufi. Sipas hetimeve, babai i Mariglen Kuqit, shtetasi me inicialet N. K., më datë 6 korrik 2009 ka blerë një apartament në Golem të Kavajës me sipërfaqe 108.9 metra katrorë, me vlerë 70 mijë euro. Po kështu, më 28 tetor 2009, gruaja e Kuqit, shtetasja me inicialet B. K., ka blerë një apartament në Tiranë me sipërfaqe 106 metra katrorë, me vlerë 138 mijë euro, ndërsa pagesa është kryer me para në dorë. Në emër të Mariglen Kuqit është gjetur edhe një llogari prej 301 mijë lekësh, me cilësimin “të ardhura nga emigracioni”. Të gjitha këto pasuri, sipas kërkesës së Prokurorisë, duhet të konfiskohen si prona të vendosura me të ardhura kriminale.
TRAZHGIM SOKOLAJ