E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobitja, takim me palën greke

Shefi i Kufirit Sarandë, Kastriot Skënderaj

SARANDE/ Peshkatarët: Grekët me harta të reja, na thanë për gjoba 20 mijë euro.

Shefi i kufirit: Do kontaktojmë me homologët e Korfuzit.

Shqetësimet e peshkatarëve të Sarandës ndaj palës greke afrojnë ditën e takimit mes kufitarëve të dy vendeve. Këtë fakt e konfirmon shefi i kufirit në portin jugor, Kastriot Skënderaj. Ai ka pritur dje në një takim peshkatarët, të cilëve u ka premtuar se shpejt do të diskutohet me palën fqinje për problemet. Vetë peshkatarët këmbëngulin për kërcënimet që kanë marrë kryesisht pas datës 24 mars. Disa prej tyre kanë shkuar në Korfuz për tu furnizuar me karburant, siç kanë bërë edhe herë të tjera, por, sipas tyre, autoritetet e Portit dhe Policia greke e Korfuzit u kanë tërhequr vëmendjen që të mos peshkojnë në ujërat greke. Kjo ka ndodhur këto ditë kur kemi shkuar në Korfuz për tu furnizuar me naftë. Nga policia greke, patrulla detare dhe autoritetet portuale, na është thënë gojarisht, jo e shkruar, që të kemi kujdes gjatë peshkimit dhe të mos shkelim ujërat detare, se në rast të kundërt do të na gjobisin dhe se gjoba minimale është 12 mijë euro deri në 20 mijë euro. Në rastin më të keq, edhe sekuestrimi i anijeve, shprehen peshkatarët. Sipas tyre, grekët zbatojnë hartën e re, atë që përcakton kufirin sipas marrëveshjes.
Nuk na kanë treguar harta, por na vunë në dijeni se ata po zbatojnë marrëveshjen e fundit për kufirin detar. Ne dimë që kjo marrëveshje është rrëzuar në Kushtetuese dhe kufijtë janë po ata që kanë qenë. Kështu mësohet të janë shprehur peshkatarët, ndërsa kërkuan ndihmën e Policisë Kufitare për të ndërhyrë. Ata shprehen se janë të trembur nga Policia Kufitare greke për lundrimin e tyre në ujërat territoriale shqiptare.
Shefi i Kufirit në Sarandë, Kastriot Skënderaj, konfirmoi dje takimin me peshkatarët. Sipas tij, takimi me ta ishte me kërkesë të të dyja palëve. Pretendimet e tyre kanë lindur pas datës 24 mars, datë kjo kur disa peshkatarë kanë shkuar në Korfuz për tu furnizuar me karburant. Peshkatarëve u është thënë të kenë kujdes me ujërat territoriale. Kjo ka krijuar frikë dhe ata kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi. Dua tju them se deri tani ankesa e peshkatarëve është në kuadrin e fjalëve dhe nuk ka asgjë konkrete, u shpreh Skënderaj. Sipas tij, të gjithë peshkatarët, kryesisht ata të anijeve të mëdha, janë të pajisur me harta dixhitale dhe se kanë ato të duhurat, kufirin detar të Shqipërisë me Greqinë të para 100 viteve. Shqetësimin e tyre e kam bërë prezent edhe te drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Pëllumb Nako, ndërkohë që i jam drejtuar për këtë problem edhe deputetit të qarkut të Vlorës për Sarandën, Leonard Demi. Kam kontaktuar edhe me Qendrën Detare në Durrës, nga e cila kam marrë garancinë që në rast se peshkatarët sarandjotë do të akuzohen nga policia greke për shkelje të ujërave, ata do të venë në dispozicion të tyre materialet filmike për tu përdorur, u shpreh më tej kreu i Kufirit.

Denoncimi në Kapitaneri
Më 2 prill, peshkatarët e Sarandës u takuan me shefin e Kapitanerisë së Portit, Gjin Nikollaj, për të bërë publik shqetësimin e tyre. Ata i bënë të ditur atij se ndihen të kërcënuar nga Policia Kufitare e Greqisë. Ju keni të drejtë të shqetësoheni. Se kësaj i thonë të jesh në shtëpinë tënde dhe të të bërtasë komshiu. Do të kërkoj me insistim që në Kapitanerinë e Portit të Sarandës të instalohen sa më shpejt sisteme të identifikimit të mjeteve lundruese me qëllim orientimin e peshkatarëve për të mos kaluar kufirin e përcaktuar për peshkim. Për shqetësimin tuaj do të vë
në dijeni, nëse do të duhet, edhe vetë Kryeministrin, u shpreh Nikollaj në takimin me peshkatarët.

Po cenohen ujërat tona
Reagon PDIU: Të ndërhyjë qeveria

Denoncimi i peshkatarëve për kufijtë detarë ka sjellë edhe reagimin e PDIU-së, e cila i kërkoi dje qeverisë të ndërhyjë tek autoritetet greke. Sipas PDIU-së, peshkatarët e Sarandës, të cilët peshkojnë në ujërat e thella të Jonit, po penalizohen nga Policia Kufitare greke, e cila përdor hartat e Marrëveshjes së rrëzuar të Detit. Kjo polici, që sipas tyre, dikur ka përdorur armë, sot po gjobit dhe po kërcënon rëndë ekzistencën e tyre, punën për të mbajtur familjet gjallë. Veprimet e policisë detare greke i krijojnë dëm ekonomik Shqipërisë dhe ekonomive familjare të peshkatarëve, thuhej në deklaratën e PDIU. Ata, megjithëse udhëhiqen nga vendimmarrës politikë, ndoshta nuk duan të njohin vendimin e fundit të Gjykatës sonë Kushtetuese. Me një fjalë, ata ndoshta nuk duan ta pranojnë se kufiri mes dy vendeve nuk është ai që ata duan. Në mënyrë analoge paraqitet dhe problemi i kërkimeve eventuale greke të naftës në Jon. Ai përfaqëson, nëse kryhet në detin tonë, një grabitje, një dëm ekonomik të pallogaritshëm e afatgjatë dhe dhunim të sovranitetit tonë, thuhej më tej në këtë deklaratë.

SARANDE/ SHPRESA DINE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›