E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Tregu industrial rrezikon të mbyllet



Tregu industrial në Durrës rrezikon të mbyllet. Një udhëzim i Ministrisë së Financës synon që kjo kategori biznesi të trajtohet ligjërisht si biznes i vogël dhe jo si ambulantë sikurse janë trajtuar deri më sot. Tregtarët ambulantë i vunë drynin tregut industrial dhe u grumbulluan përpara godinave të bashkisë dhe prefekturës, ku kërkuan zgjidhje për aktivitetin e tyre i cili rrezikon të shuhet. Ata deklaruan se me punën që kryejnë nuk janë në gjendje që të përballojnë taksat që kërkohen prej biznesit të vogël nga bashkia. Apeli i tyre ishte se nëse ata do të transformohen ligjërisht nga ambulantë në tregtarë të vegjël, do të detyrohen ta mbyllin tregun. Ditën e hënë paradite, shitësit ambulantë të tregut industrial të Durrësit u grumbulluan përpara godinave të bashkisë dhe të prefekturës ku protestuan për vendimin i cili synon t’i trajtojë ata si biznes i vogël. Nënkryetari i Shoqatës së Tregut të Lirë Industrial, Albert Doda, tha për “standard”: ”Udhëzimi është pjesë e një vendimi sipas të cilit këtë vit ne do të klasifikohemi si biznes i vogël. Kjo do të thotë një rritje e taksave. Deri tashti ne jemi trajtuar si ambulantë dhe jemi taksuar me 15 mijë lekë në vit pa llogaritur qeranë të cilën ia paguajmë pronarit të tregut”. Por n.q.s. kjo kategori do të bëjë pjesë te biznesi i vogël, atëherë secilit prej tyre do t’i duhet të paguajë 130 mijë lekë taksa në vit. Kësaj shifre i shtohet edhe qeraja e tregut, e cila është 70 mijë lekë nga bashkia, duke e rritur në këtë mënyrë në 200 mijë detyrimin vjetor. Doda tha: “Një shumë e tillë është e papërballueshme nga ana jonë dhe nëse vendimi hyn në fuqi, ne do të protestojmë dhe nëse nuk arrijmë asnjë rezultat, do të detyrohemi ta mbyllim këtë treg”. Në Durrës janë 960 tregtarë ambulantë si dhe 300 të tjerë të “gabit” që në total arrijnë në 1300. Ata mbajnë familjet e tyre me këtë biznes. Tregtarët thonë se koha që është gjetur për të marrë këtë vendim, është krejtësisht e papërshtatshme pasi koincidon me krizën ekonomike. Vangjush Dako, kreu i Bashkisë së Durrësit, dhe prefekti Klodian Pajuni kanë kontaktuar me tregtarët ambulantë dhe me një kryesi të shoqatës. Ata u kërkuan tregtarëve që t’u lënë kohë deri me datën 10 shkurt për të negociuar me përfaqësues, me qëllim gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për ta. Prefekti Pajuni mori përsipër që të bisedojë për këtë problem.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›