E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzoi me tenderët, ndjekje penale kreut të Komunës Hudënisht

Abuzimet me tenderët kanë çuar për ndjekje penale kryetarin e Komunës së Hudënishtit në Rrethin e Pogradecit. Një kallëzim i bërë ndaj kreut të komunës, Nexhmi Dokollari, për njëanshmëri në organizmin e tenderëve, ka bërë që organi i akuzës së rrethit të nisë hetimet dhe më pas ndjekjen penale për të. Mësohet se një tender i zhvilluar në muajin prill e ka çuar kreun Komunës Hudënisht nën hetim. Ndërkaq burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se Nexhmi Dokollari, me detyrë kryetar komune, është çuar për ndjekje penale me akuzën e "shkeljes së barazisë në tenderë". Policia rajonale e Korçës bëri të ditur se kryetari i komunës akuzohet për zhvillimin e njëanshëm të tenderit të rikonstruksionit të rrugëve të fshatit, duke skualifikuar pjesëmarrësit. Tenderi, sipas grupit hetimor, është zhvilluar në datën 28 prill të këtij viti, por ai është fituar nga një firmë duke skualifikuar një tjetër firmë pjesëmarrëse. Pretendimi i firmës humbëse, që është skualifikuar nga tenderi se ka pasur abuzime me tenderin e rrugëve, ka çuar në nisjen e hetimeve, ndërkohë që sipas firmës përkatëse ka prova të qarta për shkeljen e barazisë në tenderë nga kryetari i komunës. Nga grupi hetimor bëhet e ditur se kreu i komunës do të hetohet paralelisht për korrupsion, pasi ka favorizuar një firmë të caktuar, duke shmangur nga tenderi firmat e tjera. Sipas pretendimeve të firmës që ka kryer edhe kallëzimin pranë organeve të policisë, skualifikimi nga tenderi është kryer pa të drejtë, edhe pse firma ka qenë pjesëmarrëse, duke favorizuar një tjetër firmë që është shpallur fituese. Nisur nga kallëzimi, kryetari i Komunës së Hudënishtit, Nexhmi Dokollari, është çuar për ndjekje penale dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për procedurat se si është zhvilluar tenderi i rikonstruksionit të rrugëve të fshatit. Ai do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës. Komuna e Hudënishtit është bërë shpesh objekt ankesash për mënyrën e organizmit të tenderëve.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›