Plagosi dy bashkëfshatarë me thikë, pranga të dehurit
I dehuri terrorizon fshatin me automatik, ndërsa plagos me thikë dy bashkëfshatarë të tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrë të Përmetit, ku Hektor Jonuzi 26 vjeç, në gjendje të dehur ka goditur me thikë shtetasin A.C. 21 vjeç dhe një kalimtar të rastit, Sokol Rustemin 26 vjeç. Dy të rinjtë janë dërguar me urgjencë për në spitalin e Përmetit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Jonuzi në gjendje të dehur ka tentuar të hyjë në shtëpinë e prindërve të ish-bashkëshortes së tij, në kohën kur është ndaluar nga A.C. i cili është djali i xhaxhait të ish-gruas së tij. Më tej mësohet se në kohën kur 21-vjeçari ka tentuar ta bindë me fjalë për të mos hyrë në shtëpi, 26-vjeçari e ka qëlluar me thikë dhe më pas me të njëjtën armë ka goditur dhe një kalimtar të rastit. Më pas Jonuzi është larguar në drejtim të banesës së tij ku ka marrë një kallashnikov dhe për gati një orë ka qëlluar me breshëri në ajër duke shkaktuar panik te banorët e fshatit. Shpejt në vendngjarje ka shkuar një skuadër e policisë së Përmetit, që ka vënë në pranga 26-vjeçarin.
En.Se.
En.Se.