Përleshje në ambientet e shkollës, plagoset me gërshërë gjimnazisti
Një sherr banal mes gjimnazistësh në mjediset e shkollës, ka përfunduar me plagosjen me gërshërë të një 17-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës në shkollën publike "Perikli Ikonomi" të njohur nga fierakët si "Gjimnazi i ri". Gjatë pushimit të gjatë, dy nxënës të klasës XI kanë dalë së bashku me bashkëmoshatarët e tjerë në oborrin e shkollës. Dy adoleshentët mësohet se janë shokë klase dhe debati mes tyre ka nisur qysh në orën e tretë, ndërkohë që është acaruar në korridoret e shkollës për të arritur në përleshje fizike në oborrin e saj. Mes qindra gjimnazistëve të tjerë, dy adoleshentët kanë shkëmbyer fyerje të ndërsjella dhe më pas janë përleshur fizikisht. Konfirmohet se njëri prej tyre ka gjetur rastësisht në oborr një pjesë të një gërshëre dhe me të ka goditur në drejtim të shokut, i cili ka marrë një plagë në bark. Kanë qenë bashkëmoshatarët e dy të rinjve që kanë ndërhyrë për t‘i ndarë dhe më pas kanë lajmëruar stafin pedagogjik të shkollës. Drejtues të shkollës dhe disa mësues kanë dalë në oborr dhe pasi kanë mundur të ndajnë dy të rinjtë që vijonin të përlesheshin kanë bërë transportin e të plagosurit drejt spitalit rajonal. Gjimnazisti i plagosur ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe pasi është mbajtur për disa orë nën kujdesin e bluzave të bardha është lejuar të kthehet në shtëpi. Ndërkohë, policia e Fierit, e cila ka shkuar me vonesë në shkollë ka marrë në pyetje jo vetëm dy të rinjtë e përfshirë në sherr, por edhe shokë të afërt të tyre, si dhe bashkëmoshatarë të tjerë që ishin dëshmitarë në sherr. Emrat e dy të rinjve nuk bëhen të ditur nga policia, ndërkohë që drejtoria e shkollës ka zhvilluar në mesditë një mbledhje të menjëhershme të bordit drejtues. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se nuk është mbajtur raport për këtë ngjarje, ndërkohë që mbledhja e bordit të shkollës konfirmohet se ka dalë në vendimin e përjashtimit të të dy të rinjve nga shkolla. Ngjarje të tilla janë regjistruar jo pak herë në mjediset e shkollave publike dhe jopublike të Fierit. Kujtojmë se edhe në shkollat e sistemit 9-vjeçar ka pasur plagosje të rënda mes të miturve. Drejtoria Arsimore e Rrethit ka kërkuar shërbim policor pranë shkollave, por asnjëherë nuk është ofruar me korrektesë.
M.Troka
M.Troka