Vrau për vetëmbrojtje, lirohet kreu i Komunës Pult
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka dhënë pafajësi për kryetarin e Komunës Pult të Dukagjinit, Martin Cubi, i cili vrau në kushtet e vetëmbrojtjes Dodë Hilën. Ngjarja për të cilën akuzohej kreu i komunës ka ndodhur më datë 27 prill të këtij viti, kur Martin Cubi është goditur me thikë në qafë nga Dodë Hila, në ambientet e një lokali në lagjen "Skënderbeg" të qytetit të Shkodrës, pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta. Pas kësaj, kreu i Komunës Pult ka qëlluar me pistoletën që mbante me leje agresorin duke e lënë atë të vdekur. Pas ngjarjes, Cubi është prangosur nën akuzën e vrasjes, por pas ekspertizës mjekoligjore dhe dëshmive nga të afërmit e viktimës, prokuroria ka ndryshuar akuzën nga "vrasje" në "vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes". Në këto kushte nga provat e paraqitura para trupit gjykues, ky i fundit ka vendosur të japë pafajësi për kryetarin e komunës, Martin Cubi. Sipas gjykatës, gjithçka është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi nëse nuk do mbrohej duke qëlluar mbi agresorin ky i fundit do e kishte qëlluar disa herë derisa do t‘i shkaktonte vdekjen.
Ar.Ho.
Ar.Ho.