Terrorizmi, 42 hoxhallarë mbrojnë Artan Kriston
Rreth një muaj pas arrestimit të Artan Kristos, si nxitës i akteve terroriste, 42 hoxhallarë të Shqipërisë janë vënë në mbrojtje të tij. Me anë të një deklarate të bërë dje publike, ata bëjnë të ditur se ndryshe nga sa u trumbetua nga organet e drejtësisë në fjalët e predikuesit të islamit Artan Kristo, siç e kanë quajtur ata, nuk vërehet të ketë elemente me prapavijë nxitjen e akteve të terrorit, në të ardhmen e afërt apo të largët. "Ne si teologë dhe njohës të mirë të problematikave fetare konstatojmë se në shprehjet e Artan Kristos, të paraqitura këto ditë nga mediat, pavarësisht retorikës së përdorur, ne nuk konstatojmë se ka elemente me prapavijë nxitjen e akteve të terrorit, në të ardhmen e afërt apo të largët. Për më tepër dhe për aq sa e njohim Artan Kriston, ai është një kritik i ashpër ndaj akteve terroriste, ashtu sikurse edhe të gjithë studentët shqiptarë që kanë studiuar në universitetet islame. Kjo dëshmi e jona bazohet vetëm mbi atë çka njohim prej tij personalisht, si dhe çfarë dallohet qartë nga ligjëratat dhe shkrimet e tij", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 42 hoxhallarët e Shqipërisë. Më tej, ata i kanë bërë thirrje organeve përkatëse, të studiojnë me ndihmën e ekspertëve, nuancat dhe terminologjinë e përdorur për rastin në fjalë, të akuzës për nxitje të akteve terroriste dhe të tregojnë përgjegjësi legale dhe qytetare në procedimin e tij.
Va.Qy.
Va.Qy.