E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton fshehjen e drogës në makinën e policisë

Tenton t‘i shpëtojë arrestimit, hedh drogën poshtë sediljes së makinës së policisë. Ngjarja ndodhi dje pranë rrugës "Gjon Buzuku" në Tiranë, kur forcat e policisë shoqëruan 18-vjeçarin Barent Pëllumbi, pas dyshimeve se merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike. Mësohet se duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit momental, adoleshenti e dinte se kur të mbërrinte në komisariat do t‘i ushtrohej kontroll fizik, ndaj tentoi të fshihte drogën brenda në makinën e policisë. Sipas policisë, 18-vjeçari ka nxjerrë nga xhepi një sasi të vogël droge dhe e ka hedhur. Por ky veprim është konstatuar nga policët që shoqëronin adoleshentin. Burime nga policia thanë se bashkë me Baren Pëllumbin u arrestua edhe Antonio Leka, pasi posedonin një sasi prej 34.6 gramësh me gjithë ambalazh, bimë me ngjyrë jeshile, me aromë dhe karakteristika si ajo e bimës narkotike kanabis sativa. Sipas policisë, pas verifikimeve rezulton se Antonio Leka, 23-vjeç, ishte person i shpallur ne kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarku Lezhë, më datë 6 shtator 2008, për veprat penale të "Vrasjes së mbetur në tentativë" dhe të "Armëmbajtjes pa leje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›