Dy të vdekur dhe katër të plagosur dje
Katër aksidente me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e katër të tjerëve kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Qarkun e Elbasanit dhe në Pukë. Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën rurale Belsh-Kajan, kur një motoçikletë pa targa ka aksidentuar rëndë 22- vjeçarin Evis Zogu, lindur e banues në fshatin Dushk. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se pas disa orë kërkimesh është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i 26-vjeçarit Edmond Muça, lindur e banues në fshatin Dushk, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Arrestimi i tij është bërë pasi duke drejtuar motoçikletën e tij tip "Ekstrem", pa targa ka humbur kontrollin e drejtimit e për pasojë ka aksidentuar 22-vjeçarin, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Aktualisht, i dëmtuari ndodhet në spitalin kirurgjikal të Elbasanit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, pasditen e djeshme, në qytetin e Gramshit tre persona nga e njëjta familje janë aksidentuar teksa kalonin në rrugë. Ka qenë ora 17:30 minuta e pasdites së djeshme, kur një makinë tip "Fuoristradë" me targa GR 15 31 B, që drejtohej nga 35-vjeçari Vladimir Hoxha, ka humbur kontrollin dhe ka shtypur çiftin e bashkëshortëve Selaudin dhe Resmie Ibrahimllari, përkatësisht 48 dhe 46 vjeç, dhe djalin e tyre, Ilir Ibrahimllari, 18 vjeç. Të njëjtat burime saktësojnë se policia ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje dhe tre të plagosurit janë dërguar me urgjencë për në spitalin e rrethit të Gramshit ku kanë marrë ndihmën e parë. Ndërkohë vetëm pak minuta më pas, një makinë me targa DR 63 05 E, që udhëtonte në aksin rrugor Elbasan-Durrës, ka përfunduar në ujërat e lumit të Shkumbinit. Ngjarja regjistrohet rreth 15 kilometra në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Murraz të Komunës së Paprit në vendin e quajtur "Tunelet". Policia është gjendur shpejt në vendngjarje dhe ka mundur të nxjerrë nga lumi makinën e përmbytur dhe është në kërkim të drejtuesit të mjetit dhe identifikimit të tij, pasi mendohet se mund të jetë mbytur. Ndërkohë, pasditen e djeshme, rreth orës 16:15 në aksin rrugor Pukë-Qerret, kamioni tip "Benz" me targa TR 6779L me drejtues Artur Demuçaj nga Puka, ka aksidentuar me vdekje 30-vjeçarin Afrim Tafilaku nga Qerreti. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Pukës, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Be.Dy./Ar.Ho.
Be.Dy./Ar.Ho.