Abuzojnë me pagat, merren të pandehur drejtori dhe tre specialistë të naftës
Drejtori dhe tre nëpunës të Ndërmarrjes së Përpunimit të Naftës në Kuçovë merren të pandehur nga Prokuroria e Beratit për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”. Kreu i organit të akuzës së Beratit, Xhemal Saliaj, tha për “Shqip” se dje u ka komunikuar akuzën dhe tashmë ka si të pandehur në gjendje të lirë: Rustem Berhanaj, drejtor i Qendrës së Përpunimit të Naftës në Kuçovë, Romeo Harizi, përgjegjës reparti, Stiljano Thoma, specialist i pagave të normave, si dhe Sokol Kryethi. Të katër këta persona akuzohen se gjatë një periudhe dyvjeçare kanë abuzuar me pagat e punonjësve të Ndërmarrjes së Përpunimit të Naftës, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 700 mijë lekësh. Mësohet se hetimet kishin nisur një vit më parë. Sipas kreut të prokurorisë, çështja që ka nisur qysh më 14 prill të vitit të kaluar, ditët e fundit do të dërgohet në gjykatë për gjykim.
HetimetHetimet kanë nisur një vit më parë, kur pranë zyrave të organit të akuzës së Beratit mbërritën disa informacione në rrugë operative, se në borderotë e Ndërmarrjes së Përpunimit të Naftës kishte pasur abuzime me pagat. Sipas informacioneve, raportohej se nga fondi i pagave të Qendrës së Përpunimit të Naftës paguheshin edhe disa ish-punonjës që jo vetëm nuk punonin më në Ndërmarrjen e Përpunimit, por kishin vite që ishin larguar edhe nga qyteti. Pas hetimit njëvjeçar, kreu i Prokurorisë së Beratit pretendon se është arritur të zbardhet skema që përdorej për abuzimin me pagat e punonjësve gjatë periudhës kohore tetor 2007- nëntor 2009. Mësohet se gjatë kësaj kohe, ish-përgjegjësi i punësimit, Sokol Kryethi, vazhdonte të merrte pagën dhe pse që prej tre vitesh jeton në Amerikë. Nga hetimet e bëra ka rezultuar se është abuzuar përgjatë periudhës tetor 2007-nëntor 2009. Me firmat e përgjegjësit të repartit Harizi dhe specialistit të pagave Thamo, ish-përgjegjësi Kryethi paguhej që prej dy vitesh, ndonëse ishte larguar nga Kuçova drejt Amerikës. Por, prokuroria ka pasur dyshime dhe për të tjerë ish-punonjës që përfitonin paga, ndonëse ishin larguar nga qyteti. Sipas prokurorisë është vërtetuar tashmë abuzimi me ish-përgjegjësin e punësimit dhe çështja për këtë rast do t’i kalojë gjykatës. Tashmë fjala do t’u mbetet togave të zeza, nëse akuzat e ngritura nga organi i prokurorisë janë të vërteta dhe të bazuara në prova ligjore.
#