Protesta, banorët mësyjnë në bashki
Ish-punëtorët e NB-së Orikum, mëngjesin e djeshëm kanë bllokuar për disa minuta bashkinë e qytetit. Pas një kërkese të paralajmëruar për të takuar kreun e bashkisë, rreth 500 protestues kanë mësyrë në derën e institucionit. Protestuesi kanë bllokuar sheshin para Bashkisë së Orikumit dhe i kanë bërë thirrje Kryeministrit të vendit që t’u japi tokën, ndërkohë që kanë kërkuar nga kryeprokurorja Ina Rama të hetojë zyrën e AKKP-së dhe Bashkinë e Orikumit për të parë dhe vërtetuar se tokat e Orikumit dhe Dukatit janë grabitur. Pas kësaj, ish-punëtorët e NB-së u janë drejtuar ambienteve të brendshme të bashkisë dhe janë ngjitur deri në katin e dytë, ku ndodhet zyra e kryetarit Kanan Braho. Aty janë ndalur dhe kanë kontaktuar me sekretaren e tij, pasi kreu i institucionit nuk ishte në zyrë, pavarësisht se kërkesa e tyre për të takuar kreun e institucionit ishte depozituar disa ditë më parë. Pas protestës, që ka zgjatur për rreth 1 orë, protestuesit janë shpërndarë, duke paralajmëruar të tjera protesta. Ata kanë deklaruar se do t’i mbrojnë të drejtat e tyre deri në fund, edhe sikur t’u duhet të derdhin gjak.
#