E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti: Vendimi i Apelit, i padrejtë

Vlorë

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për çështjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak Vlorë, dje ka mbërritur reagimi i prefektit të qarkut, Hasan Halili. Në një prononcim për mediat, kreu i prefekturës ka sqaruar se në vendimin e dhënë ka konflikt interesi, pasi drejtuesja e seancës, njëherësh edhe kryetare e Gjykatës së Apelit në Vlorë, Alma Licja, ka për kunat një anëtar të këshillit të bashkisë, përfaqësues të PS-së. Sipas tij, pritej një vendim i tillë dhe e konsiderojnë si të paligjshëm. “Ne si institucion i prefektit i konsiderojmë jo të ligjshme vendimet e marra në atë mbledhje të muajit shtator në këshillin bashkiak, mbledhje në të cilën u diskutua edhe mbi kryetarin e këshillit të bashkisë. Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë, që në atë kohë. Vendimi i dhënë më parë nga Gjykata e Faktit ishte plotësisht i drejtë, por diçka e tillë është rrëzuar në Apel. Ne si institucion i prefektit do të vijojmë të mbetemi në qëndrimet tona dhe natyrisht do të ndjekim rrugët ligjore për këtë çështje, ku natyrisht do t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Lartë. Po kështu institucioni i prefektit nuk do të njohë asnjë vendim të këshillit të bashkisë, pasi ne njohim si kryetar zotin Sinani dhe jo zotin Sulçe”, ka thënë dje prefekti Halili. Ndërkohë që u ka bërë thirrje këshilltarëve të lënë mënjanë meritën personale dhe politike në të mirë të zhvillimit të qytetit të Vlorës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›