E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzon seksualisht me fqinjën 34-vjeçare, arrestohet i riu



DURRËS – Një i ri ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 34-vjeçare, e cila e ka denoncuar në polici duke çuar më pas në prangosjen e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, kurse dje forcat e rendit komunikuan arrestimin e të dyshuarit, Florian Xhovara, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 18 Durrës, i dënuar një herë më parë për vjedhje. Nga hetimet del se mesditën e së shtunës, në orën 12:00, 20-vjeçari Xhovara ka hyrë në banesën e gruas 34-vjeçare, fqinjë me të, dhe nëpërmjet ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ka abuzuar seksualisht me të. Policia tha se “u kryen veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast dhe materialet për veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritur mbetur në tentativë iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Hap lotari në Pogradec, akuzohet për biznes të paligjshëm

POGRADEC – Një pikë lotarie që ishte hapur prej disa kohësh në Cërravë të Pogradecit dhe që funksiononte brenda një bar-restoranti, është pikasur nga policia vendore dhe i është vënë kyçi dje në mëngjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se “ndaj sipërmarrësit Lulzim Dinoshi, 45 vjeçar, lindur në Desmirë dhe banues në Çerravë të Pogradecit, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “organizimit të lotarive të palejuara” deklaroi zyrtarisht policia. “Procedimi penal erdhi pasi në lokalin e tij, Dinoshi zhvillonte aktivitet të lotarive sportive dhe nuk ishte pajisur me “Nipt sekondar” për ushtrim aktiviteti”, deklaroi policia, e cila materialet e dosjes i kaloi për ndjekje të mëtejshme nga ana e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec”.

Prangoset 24-vjeçari, qëlloi me armë në gjendje të dehur

ELBASAN - Prishi qetësinë publike dhe mbajti armë pa leje. Janë dy akuzuat e ngritura nga prokuroria e Elbasanit për 24-vjeçarin Andri Çela, banues në lagjen “11 Nëntori”. Mësohet se Çela ka qëlluar me pistoletë në ajër në orët e vona të mbrëmjes së diel para një lokali dhe më pas është larguar. Krismat, që kanë shqetësuar banorët, kanë bërë që policia të vihet në ndjekje të 24-vjeçarit dhe ta gjejnë atë në një tjetër lokal të qytetit dhe ta vënë në pranga. Burimet zyrtare të policisë shprehen se po hetojnë mbi shkaqet që e çuan Çelën të kryejë një veprim të tillë, ndërsa dyshohet që në momentin kur ka qëlluar me armë i ri të ketë qenë në gjendje të dehur. Ndërkaq policia ka sekuestruar pistoletën me 7 fishekë.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›