E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje shqiptarësh, arrestohen tetë prej



ITALI- Tetë shqiptarë janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë denoncuar në Busoleno të Italisë. Në 10 të mëngjesit të së dielës, 4 shqiptarë ishin ulur në disa stola, në qendër të qytetit të Busolenos, në rrugën “Val Di Susa, kur u është afruar një makinë në të cilën ndodheshin katër shqiptarë të tjerë. Pasi ka bërë disa xhiro përreth grupit shqiptar të ulur në stola, shqiptari me inicialet G. X., 34 vjeç, ka zbritur nga makina me një pistoletë. Me të parë armën ka shpërthyer një grindje e madhe, ku shqiptarët u zunë me shkelma, grushte, madje dhe me thika. Me plagë të rënda ka përfunduar 34 - vjeçari G. X., i cili është shtruar në gjendje të rëndë në spital. Të tetë shqiptarët, me moshë nga 19 deri në 37 vjeç dhe me precedentë penalë, janë arrestuar nga karabinierët italianë. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë deri tani shpjegime për shkakun e asaj që ka ndodhur. Pistoleta u gjet disa orë më vonë në një bar afër vendit të sherrit, pronë e kunatit të njërit prej shqiptarëve. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, por hetuesit italianë dyshojnë se sherri shpërtheu për kontrollin e trafikut të drogës.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›