E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Meta: “Berisha, hiq dorë nga sulmi ndaj Drejtësisë!”



Shaban Sulçe

Ndonëse bashkëpunimi i tyre mund të duket tashmë i pamundur, kur vjen puna për të mbrojtur pavarësinë e sistemit të drejtësisë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, ndajnë të njëjtin qëndrim. Liderët e dy partive kryesore të opozitës e kanë paralajmëruar kryeministrin Berisha që të heqë dorë nga sulmet në sistemin e drejtësisë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kryeministri Berisha tashmë është i rrethuar në probleme personale që ka me sistemin e drejtësisë, ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se kryeministri Berisha po sulmon sistemin e drejtësisë në mënyrë që të pengojë zbardhjen e të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se kryeministri Berisha përmban në vetvete një urrejtje ndaj njerëzve dhe ndaj vetë sistemit të drejtësisë. Rama tha se tendenca e Berishës për të vënë në kontroll këtë sistem është e lidhur jo vetëm me mentalitetin e tij komunist, por është i lidhur tashmë edhe për vetë faktin se Berisha ka probleme me Drejtësinë, pasi është i implikuar në tragjedinë e Gërdecit. “Pa asnjë dyshim kryeministri është i paaftë për ta fshehur urrejtjen e tij ndaj njerëzve të Drejtësisë dhe qëllimin e tij të pandryshueshëm, qysh në krye të herës, për ta vënë sistemin e drejtësisë nën kontrollin e tij. Deri dje, thjesht dhe vetëm, për arsye të mendësisë së tij komuniste, kurse sot edhe për arsye të problemeve të tij personale me Drejtësinë”, - tha Rama. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e akuzoi kryeministrin Berisha se po kërkon të uzurpojë me çdo kusht sistemin e drejtësisë në vend. Duke iu referuar fjalës së kryeministrit Berisha në trevjetorin e qeverisë së tij, Meta dënoi sulmet e Berishës ndaj prokurorëve, të cilët, sipas tij, ai u përpoq t’i frikësonte me heqje imuniteti dhe deri me vendosje prangash. Kryetari i LSI-së denoncoi gjithashtu edhe shumë projektligje antikushtetuese, të propozuara nga maxhoranca, të cilat, sipas Metës, janë shprehje e qartë e qëllimeve të Berishës për të uzurpuar sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin. Meta iu referua së fundi projektligjit “Për administratën gjyqësore”, të cilin e cilësoi antikushtetues dhe me pasoja të rënda për pavarësinë e sistemit gjyqësor.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›