E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet bosh në Polici, të liruarit mosbesues

Besnik Bakiu: “Drejtuesit nuk përcaktuan numrin e funksioneve të lira organike” . Ndërkombëtarët, në raportet e tyre, kanë bërë vërejtje për reformën në Polici

Luan Kondi

Tiranë - Urdhri i firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Ahmet Prençi, tri ditë më parë, ku njoftohej se të gjithë oficerët e Policisë që gjenden në dispozicion, të aplikojnë për të riveshur uniformat blu, është pritur me skepticizëm nga shumë persona të larguar. Në fakt, burime të gazetës “Albania” thanë se edhe pse bëhet fjalë për rreth 300 vende pune në rolet e mesme dhe të larta të Policisë, kjo nuk përbën ndonjë lajm për të liruarit.
Reagimi
“Duke dashur të besoj në vërtetësinë dhe sinqeritetin e njoftimit të aplikimeve për ripranimin në strukturat e Policisë së Shtetit nga radhët e ish-punonjësve të larguar me motivacionin ‘Për shkurtim të funksionit organik’ ose ‘Me kërkesën e tyre’, nuk ka se si të mos më bëj dyshues mënyra e paraqitjes së këtij njoftimi”, - tha për gazetën Besnik Bakiu, drejtor Ekzekutiv i Organizatës së Punonjësve të Policisë në Lirim. Sipas tij, nuk përcaktohet numri i funksioneve të lira organike për të cilat aplikohet sipas niveleve. “Hartuesit e këtij njoftimi e dinë shumë mirë që në Policinë e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi, sipas hierarkisë, janë këto emërtime të niveleve në Polici: punonjës policie i nivelit zbatues, që përfaqëson nivelin bazë të veprimit policor, ai i nivelit të parë drejtues, që përfaqëson drejtimin dhe veprimin operacional, ai i nivelit të mesëm drejtues, që përfaqëson drejtimin ekzekutiv qendror dhe/ose vendor dhe punonjës policie i nivelit të lartë drejtues, që përfaqëson drejtimin strategjik”, - u shpreh Bakiu. Duke vijuar ai
tha se nuk jepet asnjë sqarim si do të bëhet përzgjedhja e aplikuesve, pranimi i tyre dhe ricertifikimi për gradën që mbante më parë. “Ky është një njoftim joreal e i pazbatueshëm (nga mënyra se si është nxjerrë në ueb sajtin) për të quajtur të ezauruar një kërkesë që institucioni i Policisë së Shtetit ka para parterëve ndërkombëtarë, lidhur me vërejtjet për mënyrën e pastudiuar dhe pa kritere të bërjes së reformës së personelit.
Raportet e partnerëve
Duke iu referuar sugjerimeve të ndërkombëtarëve, në raportet e tyre ata kanë bërë vërejtje edhe për reformën në Polici. OSBE-ja në vitin 2007 konstatonte se: “Mangësitë në transparencë për marrjen dhe shkarkimin nga puna vazhdojnë. Një sërë efektivash me përvojë (shumë prej të cilëve të trajnuar nga misionet ndërkombëtare të policisë) u zëvendësuan nga njerëz, përvoja e të cilëve nuk është shumë e njohur”. Po këtë vit Departamenti Amerikan i Shtetit vëren: “Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan”. Në një tjetër konstatim Komisioni Europian në 2007-n shkruan: “…ka rrezik që shkurtimet në Policinë Kufitare dhe të Migrimit të kufizojnë kapacitetet e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve në planin afatshkurtër”. PAMECA, në vitin 2007, citon në sugjerimin e saj: “Pothuajse 50% të Policisë Kufitare dhe Migracionit të trajnuar dhe stafit të rolit të mesëm dhe të rolit bazë u transferuan ose larguan gjatë programit të shkurtimeve të Policisë Shtetit. Është veçanërisht alarmuese që shumica e ndryshimeve të personelit përfshijnë pozicione që kërkojnë trajnim të specializuar. Këto largime kanë bërë të pamundur përftimin ekonomik që pritej si rezultat i trajnimeve me kosto të lartë të kryera nga organizatat ndërkombëtare”.

Reforma

Janë dy vendime qeverie, njëri pas tjetrit, në fundvitin 2006 dhe në pranverën e vitit 2007, që larguan nga detyra 2683 policë. Shkurtimet në masë u motivuan me reformimin e organikave të Policisë së Shtetit, për të përmirësuar raportet punonjës policie për numrin e popullsisë. Organizatorët e këtyre reformimeve synuan shkrirjen e funksioneve të tepërta në strukturat ekzistuese, duke mos synuar në largimet nga puna në bazë të emrave të punonjësve, por të funksioneve që shkriheshin. Fillimisht u larguan nga detyra dhe u nxorën në dispozicion 1883 punonjës dhe oficerë policie. Të larguarit përbenin gati 15 për qind të numrit të përgjithshëm të uniformave blu. Por pranverën e vitit 2007, një tjetër vendim qeverie "zhveshi" 800 oficerë dhe punonjës të tjerë policie. Gjatë kësaj kohe ishin pranuar në polici rreth 150 punonjës, nga të cilët shumica ish-efektiva blu.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›