E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neranxi: “Xhuveli po krijon monopole në peshkim”



Një ditë pasi kryeministri Berisha deklaroi se ndryshe nga ish-ministrat socialistë, ministrat e tij janë distancuar nga monopolet, ministri Xhuveli vihet në akuzë pikërisht për këtë gjë. Akuza ka ardhur nga deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, i cili e ka akuzuar ministrin e Mjedisit, Lufter Xhuveli, se po krijon monopol në sektorin e peshkimit. Neranxi iu referua
projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për peshkim dhe akuakulturën”. Ai u shpreh kundër këtyre ndryshimeve, të cilat, sipas tij, synojnë krijimin e monopolit në këtë sektor. “Studimi dhe ballafaqimi i ndryshimeve nxjerr në pah prirjen e Ministrisë së Mjedisit për centralizim të skajshëm dhe futjen e metodave tenderizuese që hapin shtigjet e korrupsionit.
Me këto ndryshime ligjore, pasuria peshkore e ujërave të brendshme nxirret në ankand. Fiton ai që paguan më shumë, pavarësisht nëse është peshkatar apo jo. Kjo praktikë abuzive u heq të drejtën e peshkimit atyre qindra peshkatarëve aktualë, me të cilën ata sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. Nga ana tjetër, marrja për shfrytëzim me ankand, në afate dhjetë e njëzetvjeçare, bën de fakto privatizimin e kësaj pasurie publike si në kohën e zotërimeve feudale. Ky veprim absurd mund të çojë edhe në monopolizimin e kësaj veprimtarie nga sipërmarrësit në disa duar dhe hapjen e rrugëve për nënkontraktorët. Gjithkush është i detyruar që nga çdo skaj i bregdetit shqiptar, nga Jugu në Veri, të vijë të falet te bordet dhe ministri Xhuveli, ndërkohë që ka struktura të mjaftueshme të pushteteve vendore, atje ku kryhet kjo veprimtari, të cilave duhet t’u jepet kjo kompetencë”, -tha Neranxi.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›