E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha, ky gënjeshtar, mashtrues dhe demagog”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ironizuar konferencën për shtyp të kryeministrit Berisha, në të cilën shefi i qeverisë paraqiti disa nga rezultatet e qeverisjes së tij në fushën ekonomike. Rama tha se konferencën e shtypit të Berishës do të kishte zili edhe diktatori i Kubës, Fidel Kastro, për orën në të cilën u zhvillua, kohëzgjatjen e saj të jashtëzakonshme si dhe shifrat e rreme të deklaruara nga ana e kryeministrit. Kreu i Partisë Socialiste përgënjeshtroi të gjitha sukseset e vetëdeklaruara nga Berisha, duke e cilësuar atë si një gënjeshtar, mashtrues dhe demagog përpara të gjithë shqiptarëve. “Sali Berisha derdhi mbrëmë një lumë gënjeshtrash, faktesh të rreme, shifrash të pavërteta. Ndër të tjera foli për hipjen e Shqipërisë drejt majave të botës për arritjet kundër korrupsionit, për futjen e Shqipërisë ndër 10 të parat e botës për arritjet në reforma, për qeverinë e tij si kampione e botës në një betejë ku në fakt qeveria e Sali Berishës është turpi i botës", - tha kreu i PS-së, Edi Rama.
Buxhetorët
Kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha u tall mbrëmë me 100 mijë buxhetorët në vend, teksa i gënjeu ata për rritjen e rrogës. Rama tha se kjo është absolutisht e vërtetë, madje ai e akuzoi qeverinë se po grabit buxhetorët pas vendosjes së taksës së sheshtë. “Sali Berisha u tall mbrëmë me 104.625 punonjësit buxhetorë duke gënjyer për rritjen e rrogave të tyre pa llogaritur ato që pasi ua quan si rritje, ua merr drejtpërdrejt me taksën e sheshtë, ua merr çdo ditë me më shumë tatim mbi vlerën e shtuar për çdo kg bukë, për çdo litër vaj, për çdo kilovat energji elektrike. I kujtoj gënjeshtarit të pandreqshëm Sali Berisha që në qoftë se përpara hipjes së tij në kurrizin e tyre punonjësit buxhetorë paguanin 6 mijë lekë tatim në muaj, tani paguajnë 42 mijë lekë në muaj”, - tha Rama. Ai akuzoi gjithashtu Berishën se gënjeu dhe mashtroi të gjithë punonjësit e sistemit të Arsimit dhe sistemit të Shëndetësisë, me rritje të rreme të pagave të tyre.
Pensionet
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kryeministri Berisha, në mënyrë të paturpshme u tall dje me një kategori në nevojë, si pensionistët. Kreu i selisë rozë tha se nuk është absolutisht e vërtet që pensionistët kanë pësuar dyfishim të pensioneve. “Sali Berisha u tall mbrëmë me të gjithë pensionistët e pensionistet e qytetit e të fshatit, duke gënjyer për rritjen e pensioneve të tyre pa llogaritur shtrenjtimin e papërballueshëm për ta të energjisë elektrike, të ushqimeve bazë dhe të ilaçeve të parimbursueshme. I kujtoj gënjeshtarit të pandreqshëm Sali Berisha se dy pensionistë në qytet marrin sot të dy bashkë 260 mijë lekë, ndërkohë që për të mbijetuar u duhen në Tiranë 400 mijë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit 340 mijë lekë në muaj. Pra, në Tiranë pensionisteve dhe pensionistëve u mungojnë 140 mijë lekë për të kapur fundin e muajit, kurse në pjesën tjetër të vendit 80 mijë lekë për të kapur fundin e muajit pa borxhe, pa u shkruar në listat e dyqaneve të bukës e të ushqimeve dhe pa lënë mangët ilaçet e domosdoshme për shëndetin e tyre të brishtë”, - tha Rama.
Biznesi
Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cilësoi të gënjeshtërta deklaratat e Berishës, sipas të cilit Shqipëria gjatë qeverisjes së tij është vendi me taksat më të ulëta në botë. Rama tha se kjo është e pavërtetë dhe për këtë përmendi rritjen deri në tri herë të tatimit mbi të ardhurat personale, rritjen deri në tri herë të tatimit mbi transferimin e pasurisë të patundshme, rritjen në nivelin 50% të akcizës si dhe rritjen e TVSH-së. Rama tha se qeverisja e dështuar e Berishës i ka shkaktuar shumë probleme edhe biznesit në Shqipëri. “I kujtoj gënjeshtarit të pandreqshëm Sali Berisha se ndërkohë sipërmarrësit e këtij vendi, të mëdhenj e të vegjël, i ka dhunuar pa pushim duke ndryshuar tetë herë ligjin për procedurat tatimore, nëntë herë ligjin për tatimin mbi të ardhurat, shtatë herë ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe gjashtë herë ligjin për akcizën. Kjo rrëmujë në legjislacionin tatimor të vendit, tipike për rrëmujaxhiun e paditur e të papërgjegjshëm që kemi tash tre vjet kryeministër, i ka shkatërruar planet vjetore të biznesit dhe rënduar kostot e çdo sipërmarrjeje duke i detyruar të marrin përherë e më shumë kredi për mjete financiare qarkulluese”, - tha Rama.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›