E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzonte me të miturën prej një viti, pranga 25-vjeçarit

 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Një vit pasi fqinji i saj 25-vjeçar e ngacmonte seksualisht, nxënësja e klasës së pestë guxoi t’i tregonte shoqes së bankës se çfarë e mundonte. Vajza 11 vjeçe me inicialet I.M., nuk mund të duronte më “përkëdhelitë” e fqinjit të saj, por i vinte turp t’iu tregonte prindërve për atë që kishte ndodhur me Stavri Thanën. Ky i fundit u arrestua nga policia e Pogradecit pikërisht në momentin kur e mitura vendosi t’i rrëfehej shoqes së saj të ngushtë. E tronditur nga “sekreti” i shoqes ajo ia ka treguar mësueses e më pas për ngjarjen është vënë në dijeni dhe drejtori i shkollës. Bashkërisht ata vendosën të sinjalizojnë policinë për 25-vjeçarin që kryente vepra të turpshme me të miturën, nxënësen e tyre. Blutë thirrën prindërit e vogëlushes dhe pasi i informuan për ngjarjen, ata dëgjuan të miturën në praninë e një psikologu, e cila rrëfeu gjithçka kishte ndodhur në shtëpinë e fqinjit të saj prej 1 viti. Stavri Thana nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Ai ishte dënuar më parë për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Mbrëmjen e së premtes i riu u mor në pyetje për akuzën e ngritur nga e mitura dhe prindërit e saj. Sipas policisë, 25–vjeçari u përpoq të mos pranonte asgjë. Por përballë provave të policisë, ai ishte dorëzuar. Mësohet se ai ka pranuar faktin se kishte kryer vepra të turpshme me vajzën, por nga ana tjetër ka mohuar që të kishte kryer marrëdhënie seksuale. Madje, ai ka kërkuar që vajza të çohej për ekzaminime tek ekspertët mjekoligjorë për të vërtetuar dëshminë e tij. Stavri Thana është banor i lagjes nr. 4 të qytetit të Pogradecit. Me 11-vjeçaren ishin fqinj e madje familjet e tyre kishin hyrje e dalje. Përkëdhelitë e tij edhe në sy të familjarëve karshi vajzës ishin konsideruar prej më të rriturve thjesht si një veprim dashamirës karshi një fëmije. Por ata nuk e kishin menduar se i riu i ishte rikthyer sërish “zanatit” të tij të vjetër, për të cilin e kishte kryer një dënim.
Sipas dëshmisë së dhënë nga vajza, ngjarja zë fill në shkurtin e vitit të kaluar. Ishte 10 vjeçe kur Stavri e kishte mashtruar atë me ëmbëlsira, duke e marrë në shtëpinë e tij. E mitura rrëfeu se ai kishte nisur ta përkëdhelte e ta ngacmonte në organet seksuale, por pa kryer me të marrëdhënie. Mësohet se 11-vjeçarja ka pasur vështirësi për të treguar episode të qëndrimit vetëm për vetëm në shtëpinë e fqinjit të saj, por me ndihmën e psikologes, ajo ka mundur të ndërtojë gjithçka kishte ndodhur. Sipas saj, 25-vjeçari e kishte puthur edhe në buzë. Pas dëshmisë, vajza u çua për t’i kryer ekzaminimet përkatëse, nga ku konfirmoi rrëfimin e të riut se nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›