E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhihani realizon ëndrrën, mister “10 golëshi”

 

Parid Xhihani e ka realizuar ëndrrën e tij. Ai dje ka shënuar golin e dhjetë në kampionatin ukrainas, teksa ka qenë vendimtar në barazimin 1-1 që Zoria e tij mori në transfertë, kundër Karpati Lviv. Sulmuesi kavajas ka kaluar ekipin e tij në avantazh në minutën e 34-ët, por vendësit kanë arritur të barazojnë. Xhihani është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij dhe një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit ukrainas. Ky ishte goli i dytë radhazi për të, pasi edhe javën e kaluar shënoi dhe dha asisit. Ish-sulmuesi i Besës po kalon një moment të shkëlqyer dhe shpreson që në të ardhmen të mund t’i jepet një shans me përfaqësuesen shqiptare. “Ëndrra ime ishte që të arrija shifrën e dhjetë golave këtë sezon dhe ia arrita qëllimit. Në fillim kjo gjë më dukej shumë e vështirë, por tani jam shumë i kënaqur. Shpresoj që gjatë merkatos së verës të mund të transferohem në një klub të madh, sepse oferta kam pasur shumë gjatë kësaj periudhe”, ka deklaruar Xhihani. Ai në minutën e 49-të të pjesës së dytë është zëvendësuar, për shkak të një dëmtimi që e shqetëson prej dy javësh. Trajneri i skuadrës nuk ka dashur të rrezikojë, duke e lënë pushim beniaminin e tij në pjesën e dytë. Zoria renditet në vendin e 10-të me 28 pikë. Armend Dallku dhe Debatik Curri, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare që aktivizohen te Vorskla Poltava, luajtën si titullarë dje në humbjen 1-0 kundër Metalist Kharkiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›