Pronarët koalicion me Polin e Lirisë
BLEDAR HOTI
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” do t’i bashkohet “Polit të Lirisë” në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shtresa e pronarëve do të ketë kandidatët e saj për deputet nën siglën e “Polit të Lirisë”, koalicionit politik që përbëhet nga Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. Pas ish të përndjekurve dhe ish-pronarët, dy shtyllat bazë të së djathtës, pritet të mbështesin “Polin e Lirisë”. Nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, në një prononcim për gazetën “Panorama” shprehet se, “tashmë do të pozicionohen në këto zgjedhje me ‘Polin e Lirisë’”. Pikërisht dje është mbledhur kryesia e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për të përcaktuar mënyrat e daljes në këto zgjedhje me përfaqësuesit e saj, duke synuar që të përfaqësohen dhe në Parlamentin e ardhshëm. “Jemi duke diskutuar për kandidaturat që ne mund të paraqesim si shoqatë për të bërë të mundur që në Kuvend të përfaqësohemi me deputetë. Mendoj se javën e ardhshme mund të përcaktojmë kandidatët për deputetë”, theksoi Vorpsi. Të zhgënjyer nga moszgjidhja e çështjes së pronës nga maxhoranca e djathtë, por edhe nga klasa politike në këto 18 vite, ish-pronarët kërkojnë që të përfaqësohen në Kuvend, duke synuar që të bëjnë edhe nisma të ndryshme ligjore në dobi të zgjidhjes së kësaj çështje. Ish-pronarë prej shumë vitesh janë përfaqësuar në Kuvend nga ana e Partisë Republikane, e cila ka në programin e saj zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Shoqata kishte menduar fillimisht të krijonte një subjekt politike më vete për të konkurruar në zgjedhje, por duket se krijimi i “Polit të Lirisë” i ka dhënë mundësi atyre që të kenë mundësinë e përfaqësimit politik. Ndërsa ende nuk është bërë publike se me sa kandidatë të shtresës së pronarëve do t’i bashkohen “Polit të Lirisë”. Sipas burimeve mësohet se dy kandidatë të listës së koalicionit të ri politik të së djathtës mund të jenë nga kjo shtresë. Por një gjë e tillë pritet që të përcaktohet në javën e ardhshme. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka përcaktuar javën e ardhshme si vendimtare për të përcaktuar kandidaturat për deputetë. Afrimin me “Polin e Lirisë” e bëri të ditur disa ditë më parë edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Ai deklaroi se shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka shprehur dakordësinë për të bashkëpunuar në këto zgjedhje të 28 qershorit. Shoqata pritet të nënshkruajë një marrëveshje politike zyrtare me “Polin e Lirisë” për këto votime. Kalimi në publik i pronarëve në këtë koalicion politik mund të ndikojë te votat e së djathtës, duke dëmtuar ato subjekte politike që kanë pasur flamurin e zgjidhjes së çështjes së pronës gjatë këtyre 18 viteve. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” prej kohësh ka kontestuar zgjidhjet e ofruara nga ana e qeverisjes aktuale për pronën, duke kërkuar si pikë të parë nisjen e menjëhershme të kompensimit fizik.