E Diel, 1 Nëntor 2026

Aliu, mashtrimi i radhës: Firma investoi 135 milionë lekë

 

TIRANE - Indrit Aliu, mashtruesi i biznesmenëve ka bërë që një firmë të investonte 135 milionë lekë në për një tender imagjinar, një miliard lekësh, në rrugët e komunës Dajt në Tiranë, pa llogaritur këtu edhe të hollat në formë ryshfeti që ka përfituar 25-vjeçari vlonjat. Bëhet fjalë për firmën “Pasha X”, me seli në Thumanë të Krujës, e cila ka investuar pas mashtrimit të Aliut plot 135 milionë lekë të vjetra në rrugën Tufinë – Linzë, ndërsa vlera totale e gjithë investimit të kësaj rruge do të ishte një miliard lekë të vjetra. Të paktën me anë të disa shkresave, të përpiluara njëra pas tjetrës prej supervizorëve të “Dejs & Partners Consulting”, kompanisë fantazmë që drejtohej nga Aliu, i është raportuar këtij të fundit se firma “Pasha X”, kishte kryer mbi 50% të punimeve në rrugë duke shpenzuar nga xhepi i vet. Kështu, sipas dokumenteve deri më 11 shkurt 2009, pak javë pasi kishte nisur punën firma kishte kryer 47.6% të gërmimeve dhe mbushjeve të trasesë së rrugës dhe 57.8% të punimeve të muraturës dhe betonimeve. Në njërin nga dokumentet e përpiluar nga vartësit e Aliut thuhet: “Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm Indrit Aliu dhe në zbatim të plan grafikut të inspektimit të punimeve në objektet e financuara nga zyra e “Dejs & Partners Consuloting”, më datë 11 shkurt, ne ekipi i supervizionit i përbërë nga Feta Hysenaj, Silvana Abazi dhe Mirifat Hima inspektuan nga afër objektin “Rikonstruksion i rrugës automobilistike Linzë – Tufinë”, komuna Dajt, me objekt për të verifikuar dhe vlerësuar fizikisht punimet e kryera nga firma sipërmarrëse “Pasha X”. Nga inspektimi u konstatua se punimet nga pikëpamja ndërtimore kanë filluar në kapitullin “gërmime dhe mbushje” dhe janë realizuar në masën 47.6%. Në kapitullin “punime murature” janë realizuar në masën 57.8%”. Në tabelën bashkëlidhur dokumentit pohohet se vlera për këto punime ka qenë rreth 100 milionë lekë të vjetra, ndërsa në situacionin që ka paraqitur vetë firma vlera shkon në plot 135 milionë lekë të vjetra, të cilat duhet të paguheshin nga Indrit Aliu në favor të firmës “Pashaj X”.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›