Bie Vllaznia, pas derbit Tirana e vetme në krye
Tirana duhet të falënderojë Daniel Xhafën e Vangjel Milen, të parin për dy golat vendimtarë në barazimin 2-2 me Partizanin.Ndërsa të dytin për golin e shënuar në fitoren 1-0 të Teutës me Vllazninë, që prodhuan edhe kryesimin e vetëm të 23-herë kampionëve pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 28-të të Kategorisë Superiore. Tashmë, Tirana kryeson me 55 pikë, një më shumë se Vllaznia e vendit të dytë (54), ndërkohë që Dinamo pas barazimit me Besën në Kavajë u ngjit në kuotën e 48 pikëve, por që tashmë ndjen fort presionin e Shkumbinit, që ka katër pikë më pak (44) e ndodhet njëherësh në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
PARTIZANI-TIRANA 2-2
Superderbi i 133-të i dy skuadrave më popullore të kryeqytetit përsëriti shifrat e fazës së dytë, 2-2, madje me të njëjtën “skemë” të shënimit të golave, kur shënoi e para Tirana, barazoi e kaloi në avantazh Partizani, e pak minuta përpara përfundimit të takimit bardheblutë firmosin barazimin. Pjesa e dytë ishte e gjitha për të shijuar, kur të skuadrat shënuan secila nga dy gola. Daniel Xhafaj realizoi për Tiranën në minutën e 56-të kur shndërroi në gol një pasim të artë të Migen Memellit, ndërkohë që Dritan Babamusta i Partizanit realizoi me kokë në të 63’ pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Artan Karapici. Barazimi i shpejtë i të kuqve, solli entuziazëm të formacioni i Shpëtim Duros, që më një aksion model për nga ndërtimi e finalizimi, prodhoi edhe golin e bukur të Marius Ngjelës në minutën e 67’, pas një pasi të gjatë të Besmir Begajt (i huazuar nga Tirana). 2-1 për Partizanin, goli i shtatë sezonal i Marius Ngjelës. Inkursioni i shkëlqyer i mesfushori të majtë të Tiranës e Kombëtares shqiptare, Ansi Agollit, solli edhe golin e barazimit në minutën e 87-të, kur harkimit perfekt të Agollit iu përgjigj me elegancë Daniel Xhafaj, me një goditje të kalibruar me kokë.
Teuta-Vllaznia 1-0
Teuta është shndërruar në një “zonjë e zezë” për Vllazninë (1-0), pasi për herë të dytë gjatë këtij sezoni formacioni durrsak triumfoi kundër shkodranëve, kësaj radhe duke i zbritur nga froni i përbashkët me Tiranës. Kuqeblutë krijuan një volum më të madh loje në “Niko Dovana”, por sërish “strategjia Sulejman Starova” dominoi mbi atë të malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç, ashtu sikundër kishte bërë ish-trajneri i Partizanit ndaj të dorëhequrit Agim Canaj në fitoren 4-0 të Teutës në fazën e dytë. Golin e vetëm të takimit e shënoi kapiteni beratas i Teutës, Vangjel Mile me një kryevepër në minutën e 61-të takimit, që i dhuroi edhe tri pikë të tjera të arta durrsakëve në luftën për një vend në Europë.