E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirateria, kapen 16 hakerat e TV

 

Trazhgim Sokolaj

Një numër i pazakontë makinash me sirena dhe fenelina policie kanë qarkulluar me shpejtësi rrugëve të Tiranës pas mesditës së premte, deri në mbrëmje vonë. Në qelitë e izolimit të policisë së kryeqytetit përfunduan 35 persona, nga të cilët u mbajtën në gjendje arresti vetëm 16 prej tyre. Aksioni i koduar me emrin “Modem” zbuloi një grup “hakerash” të mirëorganizuar në klonimin e kartave dhe aparateve të kompanive, që ofrojnë programe televizive dixhitale. Aksioni i policisë, ashtu si dhe rrjeti i të dyshuarve, u shtri në shtatë qytete: Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Vlorë, Berat dhe Korçë. Në të gjitha këto qytete, janë ndaluar 35 persona por vetëm 16 janë mbajtur në gjendje arresti, pasi u provua implikimi i tyre në “piraterinë” e programeve televizive të platformave dixhitale. Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi dje se në bashkëpunim me policitë e gjatë rretheve u arrestuan 16 persona të akuzuar për “mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 143/b dhe 25 i Kodit Penal, ku parashikohet dënimi me gjobë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë dhe me 5 deri në 15 vjet heqje lirie. Të arrestuarit janë kryesisht persona me njohuri kompjuterike dhe me anë të pajisjeve kopjonin programin e aparateve origjinalë, duke e hedhur atë në aparatet që tregtonin. Të njëjtën gjë bënin edhe me kartat e abonimit ndërsa aktiviteti kryhej në apartamente ku ishin vendosur pajisjet kompjuterike.
Pesë muaj hetim
Pesë muaj më parë, në nëntor 2008, në Prokurorinë e Tiranës mbërriti një kallëzim penal nga kompanitë që ofrojnë programe televizive në platformën dixhitale me pagesë. Kompania kishte vënë re rënie të shitjeve për kartat dhe aparatet marrëse të sinjalit, ndërkohë që sipas informacioneve persona që nuk kishin blerë shërbimin, e gëzonin atë në mënyrë misterioze. Në bare dhe restorante të shumta por edhe në banesa private ishin shpërndarë aparate marrëse dhe karta abonimi në programet e platformës dixhitale. Shpërndarja e aparateve dhe kartave ka ndodhur në qytetet kryesore të Shqipërisë ndërsa sinjali televiziv mundësohej nga 16 të arrestuarit. Ata ishin organizuar në një grup të sofistikuar që përfshinte klonuesit e kartave e aparateve marrës. Këta persona ishin në krye të grupit kriminal, i cili kishte në përbërje personat që merreshin me shitjen, transportimin e aparateve e kartave dhe instalimin e tyre tek klientët. “Policia mori kallëzim se në disa pika të ndryshme në Tiranë tregtohen aparate “dixhitale” të riprogramuara dhe të klonuara”, tha dje policia në deklaratën e saj. Me anë të gjurmimit me agjentë në terren, fillimisht është bërë e mundur identifikimi i disa prej pikave të shitjes që tregtonin këto aparate në Tiranë e më pas në disa rrethe të vendit.
Skema e piraterisë
“Personat e implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale, nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive. Sinjali i vjedhur merrej nga kompanitë vendase por edhe nga firmat e huaja “Premier Leauge”, “Skai”, “Nova” dhe nga platformat që mundësojnë eventet sportive. “Dyshohet se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin,kanë klonuar dhe u kanë shitur qytetarëve karta të televizioneve dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke përdorur aftësitë e tyre kompjuterike, të arrestuarit kanë bërë dekodifikimin e sinjalit dhe shitjen në mënyrë pirate nga 200 deri në 350 euro, të programeve të këtyre paketave dixhitale”, thanë burimet nga policia.

Klonuan kartat e aparatet për vjedhjen e programeve

TIRANE – Pas denoncimit të bërë pesë muaj më parë nga kompania televizive “Digitalb”, prokuroria e kryeqytetit ka nisur hetimet duke zbardhur me detaje skemën e funksionimit të këtij grupi. Sipas prokurorisë, kartat e parapaguara të kompanive të ndryshme televizive bliheshin nga hakerët e kompjuterëve, të cilët i arrinin t’iu hiqnin kodin me anë të pajisjeve të tyre kompjuterike. Pas kësaj ata nëpërmjet internetit ua shisnin programet përdoruesve të ndryshëm, duke filluar nga 50% deri në 80% të vlerës. Verifikimet e bëra nga punonjësit e kompanive televizive me programe të parapaguara kanë nxjerrë se mjaft bar-lokale, pika loto-sporti, etj kanë përfituar nga kjo mënyrë e abuzimit kundrejt pagimit të shumave më të vogla, duke u shkaktuar dëm ekonomik kompanive. Po kështu kanë mbetur pa u verifikuar mjaft përdorues të tjerë familjarë, të cilët kanë blerë kundrejt shifrave shumë të ulëta abonime të ndryshme periodike. Hetimi i ndërmarrë nga Prokuroria e Tiranës, prej prokurorit Erion Pano dhe zëvendësprokurorit Elio Mazreku ka zbardhur mënyrën sesi funksiononte ky grup. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se me anë të përgjimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative është zbardhur se 16 të arrestuarit e operacionit “Modem” funksionin si një grup i mirëorganizuar ku ishin ndarë punët, që nga personat që merreshim me ç’kodimin e kartave me programe të parapaguara; ata që gjenin klientët për t’ua shitur këto programe; personat që montonin aparatura e deri tek ata që shtrinin apo mirëmbanin linjat në të cilat kalonte sinjali pirat. Prokuroria pohoi se të gjithë personat që mendohet se janë përfshirë në këtë aktivitet pirat, tashmë ndodhen në qeli, pasi edhe goditja e tyre u bë në kohën kur ishin plotësuar hetimet ndaj tyre. Po kështu, prokuroria pohoi se me urdhër të tyre u shoqëruan edhe disa persona të tjerë në polici, të cilëve pasi iu morën dëshmitë u lanë të lirë.                           fa.ma.

Aksioni “Modem”

1. Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Tiranë
2. Alfred Kadiu, 30 vjeç, Tiranë
3. Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Tiranë
4. Edison Shema, 32 vjeç, Tiranë
5. Sokol Shalca, 48 vjeç, Tiranë
6. Sokol Kadare, 38 vjeç, Tiranë
7. Spiro Zguri, 48 vjeç, Korçë
8. Dhimitraq Papa, 55 vjeç, Durrës
9. Saimir Likollari, 31 vjeç, Berat
10. Marin Palushi, 36 vjeç, Shkodër
11. Ilir Nushi, 32 vjeç, Fier
Të ndaluar
1. Xhaferr Gixharri, 23 vjeç, Tiranë
2. Artan Priftuli, 44 vjeç, Tiranë
3. Fatmir Çupi, 32 vjeç, Tiranë
4. Ilir Dylja, 38 vjeç, Durrës
5. Eduart Koka, 42 vjeç, Tiranë

Prova të sekuestruara
50 kompjuterë të markave të ndryshme “Server”
20 kompjuterë të tipit “Lap-Top”
1 mijë copë aparate dixhitale të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum”, “Metabox”
500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit
30 aparate telefoni celulare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›